Lidhje

Rendi në Shqipëri, sfidë edhe pas zgjedhjeve të 24 qershorit - 2001-06-14


Rendi në Shqipëri - sërish një sfidë edhe pas zgjedhjeve të 24 qershorit

Rendi dhe siguria publike ishin për qeverinë e socialistëve një nga sfidat më të rëndësishme gjatë këtyre 4 vjetëve. Rivendosja e rendit, ashtu si per opinonin shqiptar, ishte një nga kërkesat kryesore që edhe bashkësia ndërkombëtare u drejtoi autoriteteve të reja shqiptare në mes të vitit ’97 pas trazirave të atij viti, që sollën zgjedhje të parakohëshme dhe ardhjen e socialistëve në pushtet.

Analistët vlerësojnë se situata e rendit publik vazhdon të mbetet problematike, megjithë përmirësimet e dukshme në disa sektorë. Policia ka vënë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, por në disa zona qetësia mbetet e brishtë dhe relative. Gjatë 4 vjetëve socialistët ndërruan pesë ministra rendi e qindra drejtues të tjerë policie në përpjekje për të rindërtuar strukturat policore tërësisht të shkatëruara në ’97 dhe për të dominuar kriminalitetin e lartë që shpërtheu që nga ai vit. Krahas rimëkëmbjes së policisë qeveria hartoi edhe programe të gjera për grumbullimin e qindramijëra armëve që u rrëmbyen nga depot ushtarake gjatë trazirave.

Zyrtarët njoftuan asgjësimin e dhjetra bandave dhe grupeve kriminale, duke theksuar në të njëjtën kohë se tashmë nuk është më problem krimi i rëndomtë i rrugës, por fuqizimi i rrjeteve kriminale të organizuara të trafiqeve. Ekspertët shqiptarë dhe të huaj shprehen tani për lulëzimin e trafiqeve njerëzore me emigrantë dhe prostituta si dhe të trafikimit të drogës dhe armëve nga bregdeti dhe kufijtë tokësorë.Rendi publik është destabilizuar herë pas here gjatë këtyre 4 vjetëve për shkaqe të ndryshme në Tiranë dhe në disa qytete të tjera në veri dhe në jug të vendit. Pas ’97, Shqipëria shënoi zhvillime dramatike edhe në shtator të ’98 me vrasjen e deputetit të opozitës Azem Hajdari si dhe me trazirat që pasuan; por edhe në qytetin e Tropojës në nëntor te vitit të kaluar, ku pas trazirave në atë qytet zyrtarët promovuan idenë e “mitit të policit”. Gjatë kësaj kohe policia korri edhe një seri akuzash për dhunë dhe tortura në qelitë e paraburgimit ku janë shënuar edhe disa vrasje. Autoritetet e policisë i kanë komentuar ndërkaq si “larje hesapesh mes bandave rivale” një seri vrasjesh në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës dhe disa qytete të tjera.

Në përplasjet e përditshme me krimin nga rradhët e forcave të rendit kanë humbur jetën 150 policë, midis të cilëve edhe drejtues të lartë policie. Për situatën e rendit socialistët dhe demokratët kanë akuzuar në mënyrë të vazhdueshme njëri - tjetrin.

XS
SM
MD
LG