Lidhje

Kalendari historik i datës 25 qershor - 2001-06-25


Më 25 qershor 1973, John Dean, ish-kryekëshilltari për çështjet juridike të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Richard Nixonit, deklaroi para një komisioni të Kongresit se presidenti Nixon kishte marrë pjesë në përpjekjet për të mbuluar një veprim të dënueshëm nga ligji. Ishte fjala për hyrjen me forcë në qershor të vitit 1972 në zyrën qendrore të Partisë Demokrate në kompleksin e ndërtesës Watergate në Washington D.C. Autorët e këtij veprimi, që po vendosnin pajisje elektronike përgjimi në zyrë, kishin lidhje me komisionin e rizgjedhjes së presidentit Nixon dhe me ndihmësit kryesorë të zotit Nixon në Shtëpinë e Bardhë. John Dean, që ishte shkarkuar nga detyra e këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, deklaroi para Komisionit të Senatit se e kishte paralajmëruar presidentin se komploti për të mbuluar hyrjen me forcë në zyrën e Partisë Demokrate, përbënte një shkelje të rëndë penale, të cilën ai e quajti një kancer në presidencë. Në dëshminë e tij zoti Dean tha gjithashtu se me sa dukej presidenti Nixon nuk i kuptonte pasojat e mbulimit kriminal të çështjes. Më 25 qershor 1976 vdiq kompozitori dhe këngëtari, Johnny Mercer. Ai kishte lindur në Savannah të shtetit Georgia në vitin 1909. Këngën e tij të parë e kishte shkruar në moshën 15 vjeçare. Në vitin 1930 ai këndoi këngën e tij të parë të suksesshme. Gjatë jetës së tij ai kompozoi këngë apo melodi për shfaqje artistike dhe filma dhe regjistroi shumë prej tyre. Mercer u bë i famshëm për këngët e tij lirike. Ai ka bashkëpunuar me disa nga kompozitorët më të njohur të kohës së tij. Johnny Mercer është autor ose bashkautor i më se një mijë këngëve. Ai ka qenë nderuar me 4 çmime Oscar, ka qenë kryetar i shoqatës së kompozitorëve të famshëm dhe është nderuar me disa çmime të tjera nga industria artistike. Johnny Mercer vdiq nga ndërlikime që erdhën si pasojë e një operacioni në tru. Ai vdiq në moshën 66 vjeç.

XS
SM
MD
LG