Lidhje

BE ngrin ndihmat për Maqedoninë - 2001-06-27


Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian përjashtoi mundësinë e miratimit të ndihmave të reja financiare për Maqedoninë nëse qeveria nuk zgjidh mosmarrëveshjet e saj me grupet e armatosura shqiptare. Bashkimi Evropian e bëri plotësisht të qartë se çfarë kërkon nga të dyja palët e mbërthyera në konfliktin maqedon. Duke folur në emër të presidencës së Bashkimit Evropian, ministrja e Jashtme suedeze, Anna Lindh, tha se dialogu politik është e vetmja rrugë për të dalur nga kriza: “Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Ne nuk duam të shohim grumbullim armësh në Maqedoni, ne kërkojmë të shohim atje vazhdimin e procesit të reformave dhe të dialogut politik”.

Kësaj pikëpamjeje i bëri jehonë edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, i cili gjatë fundjavës ishte për bisedime në Maqedoni. Për të mbikëqyrur përpjekjet e Bashkimit Evropian në Maqedoni, blloku prej 15 vendesh anëtare ka emëruar si të dërguar të përkohshëm ish ministrin francez të Mbrojtjes, Francois Leotard.

Po dje, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan me homologen e tyre maqedonase, Ilinka Mitreva, e cila tha se tashmë vendi i saj ka bërë shumë për të plotësuar kërkesat e shqiptarëve për trajtim të barabartë në bazë të ligjit. Në të njëjtën kohë, ajo tha se vendi i saj ka nevojë për më shumë ndihma. Mirëpo, komisioneri i Bashkimit Evropian për marrëdhënie me jashtë, Chris Patten, tha se nuk ka të ngjarë që të miratohet ndonjë ndihnmë e mëtejshme për Maqedoninë përsa kohë që vazhdojnë luftimet. “Ne nuk mund të bëjmë shumë përsa i përket ndihmës financiare derisa atje të arrihet një zgjidhje politike. Ne do të donim të mbështesnim masa për forcimin e besimit, por është shumë vështirë të forcohet besimi i popullit kur parat, mungesa e të cilave ndihet shumë në këtë vend, shpenzohen për bomba e raketa” tha zoti Patten. Megjithëse nuk po jep ndihma të reja, deri tani Bashkimi Evropian i ka premtuar Maqedonisë më shumë se 60 milionë dollarë ndihmë financiare.

XS
SM
MD
LG