Senati Amerikan miratoi një ligj që ofron mbrojtje të gjerë për pacientët, megjithë kundërshtimet e presidentit Bush i cili u kërcënua se do t’i vinte veton kësaj mase. Ligji i quajtur “të drejtat e pacientëve” u miratua dje me 59 vota në favor dhe 36 kundër. Ligji ka si qëllim të mbrojë të drejtat e pacientëve nga politikat e kursimit të shoqërive të sigurimit shëndetësor. Ai u jep pacientëve të drejtën të mjekohen në pavionin e urgjencës si dhe të vizitohen te mjekët specialistë. Ky ligj u krijon pacientëve edhe mundësinë për të ngritur padi ndaj shoqërive të sigurimeve, duke ua paraqitur problemet e tyre lidhur me mjekime jetike një gjykate. Debati lidhur me të drejtat e pacientit tani do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve ku në muajt e ardhshëm do të shqyrtohen dy projekt-ligje të veçanta. Ligjet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve duhet të përputhen me ligjin që miratoi dje Senati.