Lidhje

Gjendje e qetë në Maqedoni - 2001-07-04


Në Maqedoni, duket se armëpushimi i brishtë po respektohet, ndërkohë që udhëheqësit maqedonë po shqyrtojnë një propozim për ndryshime kushtetuese që mund të shërbejë si bazë për bisedime të reja paqeje.

Të dërguarit e posaçëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua paraqitën sot planin presidentit Boris Trajkovski dhe udhëheqësve të tjerë politikë të Maqedonisë.

Njoftohet se plani parashikon forcimin e organeve vendore të qeverisë dhe përdorimin më të gjerë të shqipes si gjuhë zyrtare në përpjekje për të kënaqur shqiptarët e Maqedonisë, të cilët kërkojnë një zë më të madh në drejtimin e vendit.

I dërguari i Bashkimit Evropian, Francois Leotard, tha se komentet dhe reagimet nga udhëheqësit politikë do të hedhin bazat për bisedime të mëtejshme, të cilat pritet të rifillojnë ditën e hënë.

Ndërkohë, forcat qeveritare dhe grupet e armatosura shqiptare vazhdojnë të respektojnë armëpushimin që hyri në fuqi dje në mëngjes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, tha se në Maqedoni duhet të tregohet një angazhim i vendosur për respektimin e armëpushimit dhe përparim në dialogun politik, para se aleanca të dërgojë paqeruajtës për të ndihmuar në çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG