Lidhje

Presidenti Bush flet në Nju Jork për imigracionin - 2001-07-11


Presidenti Bush bëri thirrje për ligje më njerëzore për imigracionin. Ai i bëri komentet e tij gjatë një ceremonie në New York ku 29 imigrantë morën nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte vizita e parë e Presidentit Bush në qytetin më të madh amerikan që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Bush kryesoi ceremoninë e dhënies së nënshtetësisë amerikane disa imigantëve. Ceremonia u zhvillua përballë Statujës së Lirisë në ishullin historik Ellis. Më shumë se 40 për qind e parardhësve të të gjithë qytetarëve amerikanë kanë mbërritur fillimisht në Shtetet e Bashkuara përmes këtij ishulli.

”100 milionë amerikanë mund të shënojnë një vijë të drejtë nga jeta e tyre e sotme e deri te momenti, kur në këtë ndërtesë, thirrej emri i tyre dhe ata bënin hapin e parë drejt nënshtetësisë amerikane, tha presidentik Bush.”

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i drejtësisë, Viet Dihn, i cili vetë ka ardhur si imigrant në Shtetet e Bashkuara, drejtoi ceremoninë e betimit të 29 amerikanëve që u bënë shtetas.

”Zonja dhe zotërinj, ju lutem, ngrini dorën e djathtë. Përmes këtij betimi unë deklaroj se heq dorë në mënyrë absolute nga besnikëria ndaj çdo princi, sundimtari, shteti apo sovraniteti të huaj, tha ai, duke lexuar tekstin e betimit.”

Presidenti Bush tha se imigracioni nuk është problem që vendit i duhet të zgjidhë, por tregues i një vendi të sukseshëm dhe me besim në vete. Ai tha se administrata e tij është e angazhuar për të reformuar shërbimin e emigracionit dhe për të garantuar se emigrantët do të trajtohen me dinjitet. ”Kur ata lanë pas Botën e Vjetër, siç quhej nga amerikanët e dikurshëm, miliona që zbarkuan këtu në ishullin Ellis, erdhën me vizionin e një jete më të mirë. Ata kërkonin më tepër se mundësi ekonomike. Ata kërkonin më shumë se liri politike. Mbi të gjitha, ata kërkonin të drejtat, detyrat dhe dinjitetin e qytetarëve amerikanë. Ky vend ëshë tashti një muze, por përfaqëson një traditë të gjallë, dhe sot në ishullin Ellis është ringjallur shpresa e madhe e Amerikës.”

Zoti Bush u takua pastaj me të pranishmit, përfshirë dy senatorë demokratë të New Yorkut, Charles Schumer dhe Hillary Clinton. E pranishme në ceremoni ishte edhe e bija e presidentit John Kennedy, Caroline Kennedy Schlossberg, bashkëshorti i së cilës është arkitekti i një pjese të restaurimit të ndërtesës në ishullin Ellis.

Më pas, presidenti u drejtua për në katedralen e shën Patrikut në Manhatttan, duke shkaktuar bllokim trafiku, gjë që i bën new-jorkezët t’i kenë me bezdi vizitat presidenciale. Ai i akordoi Medaljen e Artë të Kongresit, nderimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara, familjes së kardinalit katolik, të ndjerit, John O’Connor.

XS
SM
MD
LG