Lidhje

Kalendari historik i datës 15 korrik - 2001-07-16


Më 15 korrik 1975, projekti i përbashkët i hapësirës Apollo-Sajuz, hyri në fazën e tij të fundit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik lëshuan secili nga një anije me njerëz për tu takuar në hapësirë. Dy ekuipazhet hynë në orbitë rreth 224 kilometër mbi tokë. Pas 30 orësh, ekuipazhet i drejtuan anijet pranë njëra-tjetrës për tu ankoruar. Për bashkimin e anijeve u përdor një modul i posaçëm 3 metra i gjatë. Bashkimi i tyre me sukses provoi se anijet e kontruktuara në mënyrë të ndryshme dhe në vende të ndryshme mund të ankoroheshin te njëra-tjetra. Misioni Apollo-Sajuz u bë gjithashtu shembull i një bashkëpunimi të paparë në hapësirë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Më 15 korrik 1948, presidenti Harry Truman pranoi emërimin e Partisë Demokrate për një mandat të plotë presidencial në kuvendin e partisë të mbajtur në Filadelfia. Trumani, i cili kishte qenë nën-president, ishte bërë president në vitin 1945, pas vdekjes së Franklin Rooseveltit. Anketat e bëra në vitin 1948 tregonin se Trumani nuk kishte popullaritetin e Rooseveltit. Madje edhe këshilltarët e tij mendonin se ai nuk i kishte dhuntitë e një folësi të shkathët në publik. Duke pranuar emërimin në kuvendin e partisë, Trumani vendosi ta mbajë fjalimin duke lexuar shënimet që kishte përpara, pa e shkruar atë qysh më parë. Kështu, fjalimi i tij tingëlloi më i natyrshëm dhe duket se kjo i frymëzoi demokratët duke i dhënë gjallëri fushatës presidenciale të Trumanit. Gjatë verës së vitit 1948 Trumani përshkoi 34 mijë kilometra nëpër të gjithë vendin dhe mbajti 275 fjalime. Me kalimin e kohës gazetarët filluan të vënë re se Trumani po tërhiqte më shumë njerëz se sa rivali i tij republikan, Thomas Dewey dhe ata filluan të mendojnë se ndoshta anketat qç parashikonin fitoren e Dewey-it e kishin gabim. Në zgjedhjet e nëntorit Trumani arriti një fitore të papritur. Në një fotografi të asaj kohe tregohet Trumani i qeshur, duke mbajtur një numër të gazetës Chicago Tribune ku është shkruar gabimisht me gërma të mëdha: Dewey fiton mbi Trumanin.

XS
SM
MD
LG