Më 4 gusht 1735, një juri në koloninë britanike të New Yorkut shpalli të pafajshëm redaktorin Peter Zenger ndaj akuzave për shpifje të ngritura nga guvernatori mbretëror i kolonisë. Kjo ishte hera e parë në historinë e kolonive britanike në Amerikë, kur e vërteta pranohej si argument në mbrojtje të të pandehurit të akuzuar për shpifje. Guvernatori i kolonisë akuzonte Revistën e përjavshme “New York Weekly” se kishte fyer administratën mbretërore dhe regjimin britanik. Avokati i zotit Zenger, Andrew Hamilton, argumentoi se artikujt e revistës nuk mund të konsideroheshin si shpifje, pasi faktet e paraqitura aty ishin të vërteta. Vendimi për ta shpallur të pafajshëm zotin Zenger ishte një moment i rëndësishëm në historinë e shtypit të lirë, i cili ishte një nocion jo shumë popullor në shekullin e 18-të. Koncepti i lirisë së shtypit dhe shprehjes së lirë më vonë u sanksionua nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.
Më 4 gusht 1964, agjentët federalë gjetën trupat e tre veprimtarëve për të drejtat civile në shtetin Misisipi. Viktimat ishin vrarë dhe ishin varrosur në breg të një kënete. James Chaney, Michael Schwerner dhe Andrew Goodman figuronin të humbur prej 44 ditësh. Schwerner dhe Goodman ishin anëtarë të një grupi prej 175 veprimtarësh të të drejtave civile të ardhur në Mississippi nga veriu i Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar votuesit zezakë të regjistroheshin për të votuar. Chaney ishte një i ri zezak nga Mississippi ku ndarja raciale ishte pjesë e jetës. Të tre veprimtarët u vranë kur po udhëtonin drejt banesës së Chaneyt pasi kishin zhvilluar një kurs kualifikimi me zezakë nga zonat rurale lidhur me procesin e votimit. Byroja Federale e Hetimeve mori përsipër këtë çështje kur policia vendore, e cila konsiderohej si bashkëpunëtore jo-zyrtare e organizatës raciste Ku Klux Klan, po pengonte hetimet. Pas një procesi të vështirë hetimor personat e dyshuar si autorë të vrasjeve u arrestuan dhe u gjykuan, por juria e përbërë vetëm nga të bardhë i shpalli të pafajshëm. Megjithatë, këta të dyshuar si dhe disa anëtarë të Ku Kluks Klanit u gjykuan më pas nga një gjykatë federale dhe u shpallën fajtorë për vrasjen e viktimave.