Lidhje

Kalendari historik i datës 6 gusht - 2001-08-06


Më 6 gusht të vitit 1945, një lëmsh i zjarrtë që u pasua me një ushtimë tepër të fuqishme, mbuloi qiellin e qytetit japonez të Hiroshimës. Ishte hera e parë që në luftë përdorej një bombë atomike, e cila e shkatërroi qytetin brenda disa minutash. Bomba e Hiroshimës vrau 70 mijë njerëz dhe plagosi shumë të tjerë. Presidenti amerikan i asaj kohe, Harry Truman, do të shpallte më vonë se ai e kishte miratuar hedhjen e bombës atomike mbi Hiroshimë, vetëm kur Japonia kishte refuzuar të gjitha kërkesat për t’u dorëzuar, për t’i dhënë kështu fund Luftës së Dytë Botërore. Bota, tha ai, do të mësojë se bomba e parë atomike u hodh në bazën ushtarake të Hiroshimës, për t’i dhënë fund agonisë së luftës, për të shpëtuar jetën e mijëra e mijëra amerikanëve. Ne do të vazhdojmë ta përdorim bombën atomike, derisa të shkatërrojmë përfundimisht aftësinë luftuese të Japonisë. Por megjithë hedhjen e bombës mbi Hiroshimë, Japonia e vazhdoi luftën. Më 9 gusht u hodh një bombë e dytë atomike, këtë herë në qytetin e Nagasakit, që shkaktoi vdekjen e 40 mijë njerëzve. Më 10 gusht të vitit 1945, Kabineti japonez i Luftës u detyrua të pranonte kapitullimin.

Më 6 gusht te vitit 1965, presidenti amerikan Lyndon Johnson firmosi Aktin e së Drejtës së Votimit, që hyri në fuqi menjëherë si ligj. Kjo masë synonte të hiqte pengesat që i ndalonin zezakët të votonin, që ishte e një e drejtë e tyre, sipas Amendamentit të 15-të të Kushtetutës amerikane. Në viitin 1865, pas humbjes së Konferderatës gjatë Luftës Civile amerikane, disa nga shtetet e Jugut miratuan ligje dhe rregullore që ndalonin regjistrimin e zezakëve në votime. Ndër pengesat që u vendosën ishin provimet për shkallën e njohurive të shkrimit dhe leximit, si dhe njohurive të hollësishme për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, të cilat ishin tepër të vështira edhe për një jurist me shkollë. Disa nga shtetet jugore miratuan qëllimisht edhe zhvillimin e një anketimi mbi pagimin e taksave, si kusht për të marrë pjesë në votime, gjë që ishte e pamundur për zezakët e varfër. Akti për të Drejën e Votimit i vitit 1965 i nxori jashtë ligjit të gjitha këto pengesa artificiale për pjesëmarrjen në votime.

XS
SM
MD
LG