Lidhje

Kalendari historik i datës 7 gusht - 2001-08-06


Më 7 gusht të vitit 1787, në Philadelphia të shtetit Pensilvania u mblodh Kuvendi Kushtetues, për të rishikuar projektin e Kartës Kombëtare. Ky dokument pasqyronte idetë e shekullit të 18-të, që njihet si ”Shekulli i Iluminizmit”. Shumë historianë mendojnë se fjalët e para të hyrjes së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, ”Ne, populli”, janë pikërisht thelbi i idealeve të krejt dokumentit. Ne, populli i Shteteve të Bashkuara, thuhet në hyrje, në mënyrë që të formojmë një bashkim sa më të përkryer, që synon të vendosë drejtësinë, të sigurojë qetësinë, mjetet e nevojshme për mbrojtjen, të nxisë mirëqënien e përgjithshme dhe të sigurojë lirinë e individit e begatinë, dekretojmë dhe krijojmë kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesa tjetër e Kushtetutës përmban ligjet që sanksionojnë premtimet e bëra në hyrjen e Kushtetutës.

Më 7 gusht të vitit 1964, Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese votash Rezolutën e Gjirit të Tonkinit. Kjo i siguroi presidentit Lyndon Johnson miratimin e Kongresit për të ndërmarrë veprime ushtarake, gjë që u shfrytëzua në rastin e luftës së Vietnamit. Presidenti Lyndon Johnson e kërkoi miratimin e kësaj Rezolute pas njoftimit se anije luftarake të Vietnamit Verior kishin kryer sulme ndaj anijeve luftarake të marinës amerikane në Gjirin e Tonkinit. Administrata e presidentit Johnson dhe më pas presidenti Richard Nixon e konsideruan Rezolutën e Gjirit të Tonkinit të barazvlerëshme me një deklaratë lufte. Ata e panë Rezolutën si një autorizim për shkallëzimin e veprimtarisë ushtarake amerikane në konfliktin e Azisë Juglindore.

XS
SM
MD
LG