Lidhje

Kalendari Historik i datës 19 gusht - 2001-08-19


Më 19 gusht të vitit 1812, anijes U.S.S. Constitution, një fregatë e marinës ushtarake amerikane me 14 topa, iu dha nofka “Old Ironside.” Sipas legjendës dhe traditës së marinës ushtarake, gjatë një beteje midis anijes Constitution dhe anijes britanike H-M-S Guerriere në luftën e vitit 1812, një anëtar i ekuipazhit të anijes amerikane pa një perdhë topi të hedhur nga anija britanike duke rënë në ujë pasi goditi anën prej dru lisi të anijes amerikane pa shkaktuar asnjë dëm. Ai thirri: “Anët prej druri të anijes janë si hekuri. Anija amerikane e fitoi betejën dhe shërbeu me sukses deri në fund të luftës. Më pas, anija Constitution u përdor për stërvitje dhe në vitin 1830, ishte në plan të çmontohej krejtësisht. Mirëpo, amerikanët mendonin se kjo anije historike duhej ruajtur. Një nga këta amerikanë ishte poeti Oliver Wendell Holmes, babai i kryetarit të gjykatës së lartë amerikane me të njëjtin emër. Në kuadër të fushatës për ruajtjen e anijes, ai shkroi një poemë, duke përdorur shprehjen “Old Ironside” si titull të saj. Anija u riparua përsëri në vitin 1925, me fondet e mbledhura nëpërmjet një fushate mbarë kombëtare.

Më 19 gusht të vitit 1914, presidenti Woodrow Wilson mbajti një fjalim në një sesion të përbashkët të të dyja dhomave të kongresit, ku njoftoi mes brohoritjeve se Shtetet e Bashkuara do të mbanin qëndrim anjanës në luftën që kishte shpërthyer në Evropë. Ai theksoi se asnjanësia amerikane duhet të jetë e plotë dhe e sinqertë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë asnjanëse si me fjalë ashtu edhe vepra. Presidenti Wilson arriti të mënjanojë pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në atë luftë për më shumë se tre vjet, duke shprehur gatishmërinë që të luante vetëm rolin e ndërmjetësit në përpjekjet e paqes. Mirëpo, ai e ndryshoi qëndrimin pasi sulmet e nëndetëseve gjermane në Oqeanin Atlantik filluan të shkaktonin vdekjen e amerikanëve. Më 2 prill të vitit 1917, presidenti Wilson u paraqit në kongres për të kërkuar autorizimin për t’i shpallur luftë Gjermanisë perandorake, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara, siç u shpreh ai, të ndihmojnë për ta bërë botën më të sigurt për demokracinë.

XS
SM
MD
LG