Influenca amerikane në muzikën e fillimeve të Bitëllsave është tema e një ekspozite të re në Muzeun e historisë ”Beatles” në Liverpul. Kjo ekspozitë pasqyron artistët dhe muzikën të cilën Bitëllsat e rinj e dëgjuan dhe e kopjuan në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60, para se të përpunonin tingullin e tyre të veçantë.
Bitëlls kishin filluar të luanin muzikë se bashku, që herët, në vitet 50-të, shumë kohë para se të bëheshin të famshëm. Ata ishin vetëm adoloshentë, kur filluan t’u binin instrumentave të tyre sipas ritmit të rrok-end-rrollit amerikan. Djemtë e rinj nga Liverpuli i kopjuan notë për notë ritmet amerikane duke krijuar muzikën e tyre. Shelag Johnston, përgjegjëse në muzeumin e historisë ”Beatles, thotë se shumë nga ndikimet muzikore të Bitëllsave në Liverpul në vitet 50, erdhën nga përtej detit. ”Udhëtues amerikanë vinin në Liverpul. Ata shkonin në klube xhazi apo të muzikës bluuz të qytetit, pasi Liverpuli kishte një kulturë muzikore të mrekullueshme. Influenca amerikane, papritur, filloi të mbizotëronte duke fillouar të shkrihej me ritme të tjera po amerikane të gjetura në Liverpul si xhazi dhe bluzi dhe gradualisht lulëzoi në tingullin Mersey të fillimit të viteve 60-të. Kështu që të rinjtë e njihnin mirë rrok-end-rollin amerikan në fund të viteve 50-të.”
Zonja Johnston e njihte grupin fare mirë në fillimet e tij, sepse ajo drejtonte klubin e tifozave në Liverpul. Ajo tha se Pol MëKartnit i pëlqenin në veçanti disa disqe të cilat vinin nga Shtetet e Bashkuara. ”Buddy Holly. Muzika e tij. Buddy Holly dhe Everly Brothers, ishin muzikantët që ai admironte më shumë. Duke dëgjuar muzikën e MëKartnit mund të thuhet se aftësia e tij e veçantë qëndron tek meloditë e mrekullueshme dhe këngët në formë balade.” Ndërsa për ndikimet muzikore të partnerit-kompozitor të ardhshëm, John Lennon, Johnston vëren: ”Unë mendoj se ai u ndikua nga Elvis Presli si dhe muzikantë të tjerë si Eddie Cochran, Little Richard. Ana energjike e muzikës amerikane ishte ajo që i pëlqente më shumë John Lennonit.”
Bateristi i parë i Bitëllsave, Pete Best, kujton me nostalgji kohët e mrekullueshme të dyzet viteve më parë, kur bashkë me shokët e tij, dëgjonte këngë amerikane dhe mundohej t’i kopjonte ato fjalë për fjalë. Sipas zotit Best, Bitëllsat nuk do të ishin aq të njohur, po të mos influencoheshin nga këngët e njohura amerikane. ”Ishin ato tinguj të cilët na bënë të uleshim dhe të thoshim ”Mirë, pa të shohim, nëse mund të shkruajme dicka edhe vetë!” Dhe kështu ata filluan të kompozojnë, derisa u bënë grupi më i madh në historinë e rrok-end-rrollit.
Ekspozita në muzeun e historisë ”Beatles” do të qëndrojë e hapur deri prillin e ardhshëm dhe do të jetë një nga pjesët më interesante të Festivalit ”Beatles” në Liverpul, veprimtari e cila do të zgjasë nga 22 deri në 28 gusht.