Lidhje

Në Maqedoni vazhdon dislokimi i trupave të Natos - 2001-08-22


Në Maqedoni, vazhdojnë të arrijnë paqeruajtësit e NATO-s, të cilët pritet të fillojnë grumbullimin e armëve nga grupet e armatosura shqiptare javën e ardhëshme. Njësi të reja britanike arritën në Shkup për t’iu bashkuar 400 trupave pararojë që u dërguan javën e kaluar. Rreth 150 trupa franceze mbërritën dje.

Këto trupa janë pjesë e forcës prej 3 mijë e 500 vetash që pritet të kryejnë brenda 30 ditëve misionin e tyre të çarmatimit.

Por lidhur me numrin e armëve që do të dorëzohen ka mosmarrëveshje. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Ljube Boshkovski tha të mërkurën se luftëtarët shqiptarë kanë 85 mijë pushkë, pistoleta, granata dhe armë të tjera. Një zëdhënës i qeverisë maqedonase tha dje se numri i armëve ishte 60 mijë. Ndërsa grupet e armatosura shqiptare thonë se zotërojnë rreth 2 mijë armë. NATO-ja ka caktuar si objektiv fillestar grumbullimin e 3 mijë armëve.

Ndërkohë, kryeministri Ljubço Gjeorgjievski kërkoi shkarkimin e ministrit të drejtësisë Ixhet Memeti, një nga anëtarët shqiptarë të kabinetit. Zoti Gjeorgjievski e akuzon ministrin se ka penguar përpjekjet e qeverisë maqedone për ekstradimin e një personi të dyshuar për terrorizëm të arrestuar në Gjermani.

Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Memeti tha se në qoftë se ai shkarkohet, partia e tij e Prosperitetit Demokratik do të largohet nga koalicioni qeverisës dhe deputetët e saj do të largohen gjithashtu nga parlamenti.

XS
SM
MD
LG