Presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica akuzoi qeverinë e Serbisë të kryeministrit Zoran Gjingjiç se nuk po respekton kushtetutën dhe nuk po lufton krimin.
Presidenti Koshtunica u tha gazetarëve në Beograd se qeveria e Serbisë shkeli ligjin jugosllav kur ekstradoi ish presidentin Sllobodan Millosheviç në Gjykatën e Hagës. Ai akuzoi gjithashtu ministrin e brendshëm Dushan Mihajlloviç se ose ka lidhje me krimin e organizuar ose është i paaftë.
Agjencia e lajmeve Beta më pas citoi zotin Gjingjiç sipas të cilit akuzat e zotit Koshtunica nuk mund të diskutohen pa prova. Partia Demokratike e Serbisë e zotit Koshtunica tërhoqi ministrat e saj nga koalicioni qeveritar i Serbisë të premten e kaluar, duke përmendur si shkak dështimin në luftën kundër krimit. Presidenti tha sot se për zgjidhjen e krizës së koalicionit nevojiten diskutime në shkallë të gjerë.
Megjithatë, zoti Koshtunica tha se nuk përkrah idenë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në Serbi. Ai tha se votimet duhet të zhvillohen vetëm pasi kjo republikë të ripërcaktojë lidhjet e saj me Malin e Zi. Udhëheqësit malazezë po shqyrtojnë mundësinë e shkëputjes nga Serbia dhe krijimin e një shteti të pavarur.