Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës do të apelojë dënimin me 46 vjet burgim dhënë gjeneralit serb të Bosnjës Radislav Krstiç, dhe do të kërkojë që ai të dënohet me burgim të përjetshëm.
Karla Del Ponte i tha një gazete gjermane se shkak për këtë u bë takimi i saj me një grup grash, të cilave u janë vrarë burrat dhe djemtë në masakrat ndaj myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë në korrik 1995.
Pak kohë më parë, gjykata dënoi zotin Krstic nën akuzat se ai kishte miratuar një plan për vrasjen e mijëra meshkujve myslimanë që u kapën kur forcat serbe u futën në Srebrenicë. Kombet e Bashkuara e kishin shpallur qytetin zonë të sigurt gjatë konfliktit të Bosnjës.
Organizatat ndërkombëtare bamirëse thonë se 8 mijë myslimanë u zhdukën më pas dhe mendohet se u vranë nga forcat serbe. Hetuesit kanë zbuluar trupat e afro 4 mijë viktimave.
Dënimi ndaj zotit Krstiç është i pari i dhënë nga gjykata për gjenocid në Evropë. Ky është gjithashtu dënimi më i rëndë i dhënë nga gjykata që nga krijimi i saj në vitin 1993.