Me 24 gusht 1932, Amelia Earhart u bë e para grua që përshkonte me aeroplan hapësirën ajrore mbi territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara në një udhëtim pa ndalesa. Fluturimi prej 4 mijë e 300 kilometrash, nga Los Angeles i Kalifornisë për në Newark të shtetit New Jersey zgjati 20 orë. Zonja Earhart e bëri udhëtimin e saj në një aeroplan me dy motorë, që ishte ndërtuar në përputhje me kërkesat e saj specifike. Kjo nuk ishte as hera e parë, as e fundit që zonja Earhart vendoste një rekord në fushën e aviacionit. Ajo ishte gruaja e parë që, si udhëtare, përshkonte hapësirën ajrore mbi Oqeanin Atlantik si dhe gruaja e parë që fluturoi vetëm nga Ishujt e Havait për në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte gjithashtu gruaja e parë që fluturonte e vetme mbi Oqeanin Atlantik dhe nga Kontinenti Amerikan për në Havai.
Më 24 gusht 1814, trupat britanike dogjën rezidencën e presidentit amerikan, e cila akoma nuk njihej me emrin Shtëpia e Bardhë. Ata dogjën gjithashtu edhe Kapitolin, si dhe shumë ndërtesa të tjera qeveritare në Washington. Pushtimi dhe djegia e kryeqytetit përfaqësonte humbjen më serioze që pësuan Shtetet e Bashkuara në luftën e vitit 1812 me Anglinë. Këto zhvillime ishin rezultat i konflikteve lidhur me lirinë e ujërave detare. Britanikët ishin në luftë me francezët dhe po u prisnin rrugën anijeve tregtare amerikane, të cilat mendohej se dërgonin mallra në Francë. Kur anijet e Marinës Mbretërore ndalonin anije amerikane, nganjëherë ata i detyronin anëtarët e ekuipazhit amerikan të bashkoheshin me Marinën Britanike. Kishte raste kur sekuestrohej ngarkesa e anijes, megjithëse mund të mos ishte nisur për në Francë. Qeveria amerikane tha se akte të tilla përbënin shkelje të lirisë së përdorimit të ujërave detare dhe u angazhua në luftë për të mbrojtur anijet tregtare amerikane si dhe lirinë e lëvizjes së anijeve amerikane në rrugët detare. Lufta e vitit 1812 zgjati deri në nënshkrimin e një traktati për paqe në dhjetor të vitit 1814, i cili u ratifikua nga Senati Amerikan në shkurt të vitit 1815. Sipas kushteve të traktatit, secila palë do të tërhiqej nga territoret e pushtuara dhe çdo gjë do të kthehej pak a shumë në gjendjen e para luftës. Pas përfundimit të luftës ndërmjet Britanisë dhe Francës, mosmarrëveshjet që kishin çuar në shpërthimin e luftës së vitit 1812, u fashitën.