Një gjykatë hollandeze hodhi poshtë pretendimet e ish udhëheqësit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, se po mbahet në mënyrë të paligjshme nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë. Gjykatësi Roel Paris u shpreh sot se gjykata është një institucion i pavarur dhe i paanshëm me kompetenca të sanksionuara në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe atij hollandez, prandaj mund të mbajë nën arrest dhe dhe të gjykojë ish udhëheqësin jugosllav. Zoti Millosheviç ka kërkuar lirimin e tij të menjëherëshëm, duke argumentuar se gjykata e Hagës për krimet e luftës është krijuar ilegalisht nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe jo nga Asambleja e Përgjithshme. Avokatët e tij thonë se do ta apelojnë vendimin e sotëm. Dje prokuroria tha se akuzat kundër zotit Millosheviç do të jenë gati deri në muajin tetor dhe do të përfshijnë dy akuza të tjera për gjenocid lidhur me rolin e tij në luftrat në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Zoti Millosheviç është akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit lidhur me fushatën e spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Gjykata bëri të ditur se do të caktojë një avokat për të ndihmuar zotin Millosheviç dhe për të siguruar që të drejtat e të pandehurit do të mbrohen. Zoti Millosheviç nuk pranon të emrojë avokat mbrojtës dhe këmbëngul se do të vetmbrohet. Gjykatësi May e caktoi seancën tjetër përgatitore për më 29 tetor.