Lidhje

Maqedoni: parlamenti pritet të votojë - 2001-09-05


Parlamenti maqedonas pritet të mblidhet sot për një votim të mundshëm mbi planin e paqes.

Deputetët do të vendosin nëse do të fillojnë procedurat për ndryshimet kushtetuese të cilat synojnë tu japin shqiptarëve të drejta më të mëdha. Për t’u miratuar, ndryshimet kushtetuese duhet të kenë mbështetjen e më shumë se dy të tretave të deputetëve.

Mbrëmë debatet në parlament vazhduan deri vonë. Shumë deputetë shprehën dyshime për planin e paqes duke thënë se ai do t’i bënte më agresivë luftëtarët shqiptarë.

Rreth 20 deputetë thonë se duan të marrin fjalën përpara se të hidhet në votë fillimi i procedurës.

Zyrtarët e Natos thonë se, nëse parlamenti voton pro, aleanca do të fillojë fazën e dytë të operacionit të saj për mbledhjen e armëve të luftëtarëve shqiptarë. Javën e kaluar, gjatë fazës së parë të operacionit, trupat e Natos mblodhën 1 mijë e 400 armë.

Të hënën, kryeministri Lubço Georgievski u kërkoi ligjvënësve që ta miratojnë marrëveshjen e paqes, por vetëm sepse Maqedonia nuk është në gjendje të sfidojë perëndimin.

Marrëveshja e propozuar do t’u jepte shqiptarëve të Maqedonisë ndikim më të madh politik dhe do ta bënte shqipen gjuhë zyrtare në zonat ku ata përbëjnë të paktën 20 për qind të popullatës.

XS
SM
MD
LG