Lidhje

Bush takohet me ekipin e sigurimit kombëtar - 2001-09-12


Presidenti Bush po takohet me ekipin e tij të sigurimit kombëtar për të diskutuar mbi reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sulmit më të rëndë terrorist në territorin amerikan. Presidenti po përgatitej sot në mëngjes për këtë takim dhe për takimin që do të zhvillojë me udhëheqësit e Kongresit. Një zëdhënës i presidentit tha se zoti Bush foli në telefon me kryeministrin britanik Tony Blair dhe atë kanadez Zhan Kretien. Sekretari i Shtetit Colin Powell tha për emisionet e lajmeve se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një qëndrim luftarak dhe do të organizojnë një përgjigje të gjithanëshme ndaj sulmeve terroriste. Sekretari Powell tha se me këtë përgjigje nuk nënkuptohet një kundërsulm i vetëm, por një përpjekje afat-gjatë e përqëndruar në shumë fronte.

Bush: autorët e sulmeve do të zbulohen

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të qendrojnë të fuqishme përballë terrorizmit ndërkombëtar. Ai i bëri këto komente në një fjalim që mbajti në Shtëpinë e Bardhë, fjalim i cili u transmetua me televizion në gjithë vendin.

Në fjalimin e tij, Presidenti pasqyronte si keqardhjen ashtu edhe vendosmërinë e vendit.

Sot, bashkatdhetarë të dashur, jeta jonë, liria jonë u sulmua nga një seri aktesh të qëllimshme dhe të përgjakëshme terroriste, tha Presidenti.

Ai deklaroi se autorët e sulmeve të djeshme, sulmet më të rënda terroriste në tokën amerikane, do të zbulohen. Kam udhëzuar që, të gjitha mjetet dhe kompetencat e agjencive tona të zbulimit dhe të anti-terrorizmit, të përqendrohen në zbulimin e personave përgjegjës, për t’i sjellë ata përpara drejtësisë, tha Presidenti Bush.

Presidenti tha gjithashtu se nuk do të bëhet asnjë dallim ndërmjet terroristëve që i kryen këto akte dhe atyre që i kanë strehuar dhe ndihmuar ata.

Kongresi amerikan në mbështetje të Presidentit

Udhëheqësit e Kongresit amerikan dënuan sulmet e djeshme terroriste dhe i dhanë presidentit Bush një mbështetje pa dallime partiake. Siç njofton korrespondenti ynë David Swan, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të rifillojnë seancat e tyre nesër.

Ashtu si pjesa tjetër e Uashingtonit zyrtar, edhe Kongresi i pezulloi dje aktivitetet. Udhëheqësit e tij u dërguan me nxitim në objekte të sigurta. Vetëm pas disa orësh, megjithëse rrugët përrreth ishin të mbyllura, një grup anëtarësh të Kongresit, me pamje të zymtë, dolën në shkallët e Kapitolit në përpjekje për të shfaqur unitetin, forcën dhe mbështetjen për presidentin.

Udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit, Tom Daschle, demokrati me postin më të lartë në senat, deklaroi se puna në Kongres nuk do të ndërpritet.

Këto akte të neveritëshme ishin një sulm kundër popullit dhe lirisë sonë. Si përfaqësues të popullit, tha ai, ne jemi mbledhur këtu për të shpallur se vendosmëria jonë nuk është dobësuar nga këto akte të turpshme. Kongresi, tha ai, do të vazhdojë punën nesër.

Zoti Daschle tha se republikanët dhe demokratët do të flasin me një zë të vetëm për të ndihmuar viktimat e sulmeve dhe për të ndëshkuar personat përgjegjës. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Dennis Hastert, theksoi se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen, megjithëse ende nuk dihet se kush është autori i sulmeve.

Por ne kemi dyshimet tona. Dhe kur këto dyshime të përligjen, ne do të veprojmë. Ne do t’i qendrojmë përkrah Presidentit, do t’i qendrojmë përkrah qeverisë dhe do të qendrojmë të bashkuar si amerikanë për të kapërcyer këtë që ndodhi, tha republikani Hastert.

Dhoma dhe senati do të merren gjithashtu me hetimin e sulmeve, hetime që mund të kryehen me anë të disa komisioneve. Qysh tani, disa ligjvënës po shprehin kritika, duke e quajtur atë që ndodhi një dështim të madh në fushën e zbulimit. Mirëpo, tani për tani, udhëheqësit e Kongresit do të përpiqen të qetësojnë vendin, i cili është tronditur nga sulmet e djeshme dhe, ashtu si amerikanët e tjerë, do të përpiqen të jetojnë në një botë tashmë të ndryshuar.

Forcat amerikane në gjendje të lartë gadishmërie Forcat e Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie, pas sulmeve terroriste në New York dhe në departamentin e Mbrojtjes në Uashington. Flota amerikane e Atlantikut dërgoi dy aeroplanmbajtëse në brigjet lindore të vendit për të mbrojtur hapësirën ajrore të Uashingtonit dhe New Yorkut. Njoftohet gjithashtu se janë dërguar luftanije edhe në brigjet perëndimore, që konsiderohen të hapura për sulme të ngjashme. Aeroplanmbajtësja Enterprise, që po përgatitej të kthehej në Shtetet e Bashkuara nga Gjiri Persik, ka marrë urdhër të qendrojë në rajon. Autorietet kanë forcuar masat e sigurimit në të gjitha bazat ushtarake amerikane për të parandalaur hyrjen në to.

XS
SM
MD
LG