Autoritetet amerikane arrestuan të pandehurin e parë në procesin hetimor mbi sulmet terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë dhe Pentagonit. Zyrtarët thonë se personi që kanë arrestuar mund të ketë informata të rëndësishme për sulmet. Sipas një njoftimi ai ka lidhje me njërin prej vëllezërve të terroristit Osama bin Laden. Përveç tij janë ndaluar edhe dy persona të tjerë. Autoritetet thonë se këta të fundit nuk janë ende në gjendje arresti, por do të merren në pyetje në New York.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara John Ashcroft thotë se hetuesit po kërkojnë më se 100 persona të tjerë. Në një tjetër zhvillim, ekipet e shpëtimit gjetën kutitë e zeza ku janë regjistruar komunikimet dhe bisedat e avionit që u rrëzua në shtetin Pensylvania. Mendohet se terroristët po përpiqeshin të godisnin me këtë avion ndërtesën e Kongresit ose Shtëpinë e Bardhë.
ARRESTIME NE EVROPE Autoritetet policore në Belgjikë dhe në Hollandë arrestuan 6 persona të dyshimtë si ekstremistë myslimanë nën akuzat se ishin duke planifikuar sulme terroriste kundër objekteve amerikane në Evropë. Katër prej të dyshuarve u arrestuan në Holandë, ndërsa autoritetet belge ndaluan 2 të tjerët në Bruksel për t’i marrë në pyetje.
Zyrtarët në të dy vendet thanë se deri tani nuk kanë të dhëna se të arrestuarit kanë lidhje me Osama Bin Ladenin. Ndërkohë në Hamburg të Gjermanisë, policia liroi një person që ishte ndaluar për t’u marrë në pyetje pasi dyshohej se kishte lidhje me sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët gjermanë thonë se një punonjës i Byrosë Federale të Hetimeve mbërriti dje në Hamburg për të vlerësuar gjendjen. Të enjtën, Gjermania bëri të ditur fillimin e një procesi hetimor lidhur me një rrjet të mundshëm terrorist në Hamburg, që mund të ketë lidhje me personat që dyshohen për kryerjen e sulmeve në Shtetet e Bashkuara.