Projekti i paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Demokrate të Reformuar të Genc Pollos lidhur me ngjarjet në SHBA dhe luftën kundër terrorizmit u miratua sot në unanimitet nga parlamenati shqiptar. Teksti fillestar u përqas edhe me qëndrimin e Asamblesë së Këshillit të Europës dy ditë më parë në Strasburg.
Duke dënuar aktet terroriste të cilësuara barbare dhe dhunim flagrant të së drejtës së individit për jetën, rezoluta e lexuar nga kryetari i parlamentit Namik Dokle shpreh angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit: “Parlamenti shqiptar – shkruhet ne rezolutë -shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë për të mbështetur dhe bashkëpunuar me qeverinë e SHBA dhe aleancën e vendeve demokratike në luftë kundër terrorizmit si dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë e për të ndëshkuar përgjegjësit e këtyre krimeve të përbindshme si dhe për të crrënjosur shkaqet e tyre. Akte te tilla terroriste frymezohen nga grupe të caktuara ekstremiste të cilat përmes shtrembërimit të qëllimshëm të parimeve fetare për justifikimin e dhunës synojnë të provokojnë një përplasje mes perëndimit dhe botës islamike”
Parlamenti shqiptar i kërkoi qeverisë të shtojë përpjekjet në luftë kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha llojeve të trafiqeve. “Parlamenti – thuhet në rezolutë - në bashkëpunim me qeverinë të rishikojë të gjithë kuadrin ligjor ekzistues kundër akteve terroriste me synim parandalimin dhe goditjen e fuqishme të terrorizmit. Të ndërmarrë të gjitha veprimet për ratifikimin e konventave antiterroriste ekzistuese”
Së shpejti pritet që qeveria shqiptare të marrë një vendim për të ofruar hapësirën e saj ajrore dhe bazat ushtarake për operacionet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kundër terrorizmit.