Bisedimet midis udhëheqësve taleban dhe një delegacioni pakistanez siç duket dështuan në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e dorëzimit të terroristit të akuzuar Osama Bin Laden.
Shtypi pakistanez njoftoi se delegacioni u kthye në Islamabad pas takimit me udhëheqësin taleban, Mullah Mohammad Omar në qytetin e Kandaharit. Nuk janë dhënë hollësi për bisedimet por bëhet e ditur se delegacioni pakistanez dështoi të bindte udhëheqësit taleban për të dorëzuar Osama bin Ladenin dhe tetë punonjësit e ndihmave që mbahen nga regjimi taleban nën akuzat se predikonin kristianizmin. Delegacioni përbëhej nga disa udhëheqës fetar dhe nga shefi i zbulimit pakistanez, gjenerali Mehmood Ahmed.