Lidhje

Annan, Giuliani do të hapin mbledhjen e sotme të Asamblesë së Përgjithshme - 2001-10-01


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet sot për një debat një-javor lidhur me terrorizmin ndërkombëtar, mbledhje që do të zhvillohet vetëm disa kilometra nga vendi i sulmit terrorist më të përgjakshëm në botë.

Kryetari i bashkisë së New Yorkut, Rudolf Giuliani, do të ndodhet pranë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, me rastin e ceremonisë së hapjes. Zoti Giuliani do të jetë kryetari i parë i bashkisë së qytetit të New Yorkut që do të flasë përpara Asamblesë së Përgjithshshme gjatë një gjysëm shekulli.

Asambleja e 56-të e përgjithshme do të zhvillojë punimet e saj gati pas tri javësh vonesë për shkak të sulmit që shkatërroi Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe vrau më shumë se 5 mijë vetë.

Ajo po mblidhet gjithashtu vetëm tri ditë pas miratimit njëzëri të një rezolute me fuqi detyruese të Këshillit të Sigurimit ku bëjnë pjesë 15 vende anëtare. Rezoluta u kërkon të 189 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të mos u japin para, mbështetje dhe strehim terroristëve.

Zoti Annan pritet që ta nxisë asamblenë që të punojë për ratifikimin urgjent të një numri dokumentash ligjore që synojnë frenimin e terrorizmit. Kombet e Bashkuara kanë miratuar 12 dokumenta kundër terrorizmit që nga viti 1963, por vetëm 5 janë ratifikuar nga parlamentet e një numri të mjaftueshëm vendesh që nevojitet për t’u dhënë atyre fuqi detyruese.

Zoti Anan pritet që gjithashtu të nxjerrë një paralajmërim lidhur me kërcënimin nga armët biologjike dhe kimike dhe të nxisë për masa mbi parandalimin e armëve të shkatërrimit në masë.

XS
SM
MD
LG