Lidhje

Musharraf:"Bashkimi me koalicionin, çështje parimore - 2001-10-23


Presidenti pakistanez Pervez Musharraf tha se vendimi i tij për të mbështetur luftën e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit ishte i vështirë, por ishte veprimi më i drejtë në interes të vendit.

Në një intervistë të transmetuar sot në mëngjes nga rrjeti televiziv CNN, gjenerali Musharraf tha se bashkimi me koalicionin kundër terrorizmit ishte një çështje parimore. Ai tha se shumica dërrmuese e pakistanezëve e mbështesin këtë vendim.

Udhëheqësi pakistanez tha se shpreson që operacioni ushtarak amerikan në Afganistan të marrë fund së shpejti. Por ai shtoi se nuk ka marrë garanci se goditjet ajrore do të ndalen para 17 nëntorit, kur të fillojë muaji i shenjtë i Ramazanit.

Ai tha se marrëdhëniet e Pakistanit me udhëheqësit talebanë janë ftohur dhe se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta midis zyrtarëve pakistanezë dhe Talebanit.

Lidhur me formimin e një qeverie të ardhëshme afgane, zoti Musharraf tha se ajo duhet të përfaqësojë të gjitha grupet etnike në Afganistan Ai theksoi se Pakistani do ta pranonte një qeveri e cila të përfshijë Aleancën Veriore anti-taleban, të cilën Pakistani më parë e kundërshtonte.

Protesta ne Pakistan

Autoritetet pakistaneze kanë bllokuar qytetin jugor Jacobabad në provincën Sindh në përpjekje për të parandaluar radikalët islamikë të zhvillojnë protesta në afërsi të një baze ajrore të forcave amerikane. Drurë dhe kamionë u përdorën për të bllokuar rrugët që çojnë në qytet dhe të paktën 2 mijë forca shtesë të policisë u thirën në përpjekje për të ndaluar demonstratën e organizuar nga partia Jamiat-i-Islami. Autoritetet kanë ndaluar dhjetra aktivistë dhe penguan udhëheqësin e partisë Qazi Hussain Ahmed që të shkonte në provincën Sindh. Jacobabad-i është një prej të paktën tri bazave ajrore në Pakistan që po përdoren nga forcat amerikane për të mbështetur operacionet ushtarake në Afganistan.

XS
SM
MD
LG