Lidhje

Afganistan: Karzai shëndoshë e mirë - 2001-12-06


Hamid Karzai, njeriu që është emruar të kryesojë qeverinë e re kalimtare pas-talebane të Afganistanit, hodhi poshtë njoftimet se ishte plagosur dje nga një bombë amerikane që iu shmang objektivit në veri të Kandaharit.

Zoti Karzai tha se kishte shpëtuar pa pësuar gjë në atë incident që shkaktoi vdekjen e tre anëtarëve të forcave speciale amerikane dhe plagosjen e 19 të tjerëve. Një zyrtar i lartë i Pentagonit i tha Zërit të Amerikës se plagët e zotit Karzai ishin të lehta dhe nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Një zëdhënëse e Pentagonit tha se në atë incident u vranë edhe 5 luftëtarë anti-talebanë. Sipas njoftimeve nga rajoni, në të njëjtin incident u plagosën e 20 luftëtarë anti-talebanë. Pentagoni njoftoi se viktimat u dërguan për mjekim në një bazë në jug të Kandaharit.

Forcat të udhëhequra nga zoti Karzai dhe komandantë të tjerë anti-talebanë kanë rrethuar Kandaharin, bazën e fundit talebane në vend. Agjencia e lajmeve Shtypi Afgan njofton se një delegacion taleban i bëri thirrje zotit Karzai që ta shmangë betejën e përgjakshme për marrjen qytetin.

Në Afganistanin lindor, forca anti-talebane kanë hyrë në zonat malore përreth komplektsit të shpellave Tora Bora, ku zyrtarë vendorë afganë thonë se mund të jetë fshehur Osama bin Ladeni. Dje, avionët amerikanë ndërmorën sulme ajrore kundër qindra luftëtarëve të al-Kaidës në atë zonë, ndërsa forcat anti-talebane sollën përforcime të reja.

Një komandant fisnor tha se luftëtarë të al-Kaidës kanë ikur nga shpellat e tyre për t’i shpëtuar rrethimit dhe janë përqendruar në tri ose katër pika malore. Ai tha se ata po kundërsulmojnë me mortaja të kalibrit të vogël dhe granada të hedhura me raketa, por tani ata nuk kanë ku të mbrohen nga sulmet ajrore amerikane. Dje, shoqata Mjekët pa kufij shprehu shqetësim rreth civilëve në afërsi të Topra Borës. Shoqata me qendër në Paris tha se që nga 1 dhjetori, punonjësit e saj në atë zonë kanë gjetur më shumë se 80 të vdekur dhe rreth 50 të plagosur.

XS
SM
MD
LG