Lidhje

Kalendari Historik 12 dhjetor - 2001-12-12


Më 12 dhjetor 1896, Joseph Rainey, bëri betimin si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Ai ishte afrikano-amerikani i parë që zgjidhej në Kongresin amerikan. I lindur skllav në shtetin e Karolinës së Jugut, Rainey, gjatë dhjetë viteve të qendrimit të tij në Kongres, mbështeti ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përpara se të largohej nga zyra e ligjvënësit në vitin 1879, ai kishte dërguar në kongres 10 peticione për ligje që kishin të bënin me të drejtat e njeriut të cilat synonin të drejta të plota kushtetuese për zezakët. Ligjvënësi Rainey dha ndihmën e tij gjithashtu për përmirësimin e kushteve të jetesës për indianët e Amerikës në rezervatet e tyre. Ish-ligjëvënësi Joseph Rainey vdiq në qytetin e tij Georgetown të Karolinës së Jugut në vitin 1887 në moshën 55-vjeçare.

Një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës amerikane lindi më 12 dhjetor të vitit 1915, në Hoboken të shtetit New Jersey. Ai ishte Francis Albert Sinatra. Stili i interpretimit të Frank Sinatrës është lavdëruar gjatë gjithë karrierës së tij të pazakontë, si i qartë, i artikuluar, ritmik dhe i papërmbajtur kur duhej, si dhe dramatik e prekës, kur ishte e nevojshme. Kritikët thoshin se ai e përçonte tek publiku melodinë e këngës si muzikant dhe lirikën e saj si aktor. Sinatra i përpunoi aftësitë e tij, kur këndonte me të ashtuquajturat “grupe të mëdha” në vitet 30-të dhe si yll-solo nga vitet 40-të e më pas. Në shumë disqe që ai regjistroi, bëjnë pjesë “Come fly with me”, “All the way”, “Love and Marriage” dhe “Strangers in the night”. Ai mori pjesë gjithashtu në shumë filma, duke korrur lëvdata, jo vetëm për interpretimin e këngëve, por gjithashtu edhe për talentin e tij si aktor dramtik dhe komik. Sinatra ka fituar gjithashtu Çmimin Oscar për rolin e tij në filmin dramatik të vitit 1953 me subjekt nga lufta “From here to eternity”. Nga fundi i jetës së tij, ai bëri regjistrime mjaft popullore, duke kënduar në duet me yje të tjerë, përfshirë Barbara Streisand, Aretha Franklin dhe Willie Nelson. Sinatra ishte një figurë kontradiktore, që kritikohej për karakter të paqendrueshëm, për sjellje arrogante, për lidhje të dyshimta me figura të krimit të organizuar. Por ai është lavdëruar për ndihmën dhënë shoqatave bamirëse përmes dhuratave të mëdha dhe shfaqjeve të bamirësisë. Të paktë do të ishin ata që nuk do të ishin dakord me vlerësimin se Sinatra ka qenë njëri prej yjeve më të shquara dhe të talentuara të artit amerikan të shekullit të 20-të. Ai vdiq në vitin 1998 në moshën 82-vjeçare.

XS
SM
MD
LG