Lidhje

Bin Ladeni në Pakistan? - 2001-12-28


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk po i kushton rëndësi një njoftimi të ri nga Afganistani se Osama bin Ladeni ka ikur në Pakistan dhe mbahet i fshehur nga një parti fundamentaliste pakistaneze.

Sekretari Rumsfeld tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë të sigurta se ku ndodhet udhëheqësi i al-Kaidës, ose nëse ai është gjallë. Ai tha se Pentagoni merr çdo ditë disa njoftime kundërthënëse lidhur me vendndodhjen e Osama bin Ladenit.

Zoti Rumsfeld i bëri këto komente dje, pasi një zëdhënës i ministrisë afgane të Mbrojtjes tha se Osama bin Ladeni është në një zonë kufitare pakistaneze me bashkëpunëtorë të udhëheqësit të partisë Xhamiat Ulema-i-Islam, Maulana Fazal-ur-Rehman. Një zyrtar i partisë pakistaneze e hodhi poshtë këtë pohim, duke thënë se partia e tij mbështet lëvizjen Taleban, por nuk ka lidhje me Osama bin Ladenin.

Ndërkohë, sekretari Rumsfeld tha gjithashtu se forcat ushtarake amerikane kanë në plan t’i mbajnë robërit e luftës në bazën detare Guantanamo në Kubë. Mirëpo, ai shtoi se nuk ka plane për ta përdorur bazën për zhvillimin e gjyqeve ushtarake.

Zoti Rumsfeld tha se nuk pret ndonjë problem nga presidenti kuban, Fidel Kastro, i cili shpesh herë kritikon praninë ushtarake amerikane në Guantanamo.

Baza është në një territor kuban i marrë me qira shumë kohë para se komunistët të merrnin pushtetin në Kubë në vitin 1959. Pentagoni njofton se mban gjithsej 45 robër lufte nga konflikti afgan. Mes tyre janë 20 të kapur kohët e fundit në Pakistan.

XS
SM
MD
LG