Lidhje

Të rejat e javës nga kinematografia - 2001-12-28


Këtë javë filloi të shfaqet në kinematë amerikane filmi i ri ALI kushtuar boksierit legjendar Muhamed Ali. Rolin kryesor e luan kandidati për çmimin Oscar, Will Smith. Megjithëse kanë kaluar gati 30 vjet që nga kohët e lavdishme të heroit legjendar të boksit, shumë admirues të Muhamed Aliut, dhe yje të kinematografisë morën pjesë në premierën e filmit në Los Angelos. Filmi flet për kampionin e famshëm të boksit në peshat e rënda i cili përqafoi Islamizmin dhe e quajti veten Muhamed Ali. Transformimi që i duhej të bënte për këtë rol Will Smithit, kërkoi më tepër sesa thjesht ndryshime fizike. Që një vit para se të fillonte xhirimi atij iu desh të praktikonte mënyrën e të folurit dhe gjestet e kampionit. Will Smith thotë se pjesët e ndeshjeve të boksit në film janë reale, pra goditjet janë të vërteta. Vetë Muhamed Ali dukej i kënaqur nga realizimi i filmit me regji nga Michael Mann.

Gjithashtu u shpall lista e kandidatëve për çmimet e Globit të Artë. Filmi i gjinisë dramatike ”A Beautiful Mind” dhe ai i tipit musikal ”Moulin Rouge” ishin në krye të listës së kandidatëve, ndërkohë që në Hollywood ka filluar gara më interesante, ajo për çmimet Oscar. Bashkë me filmin “A Beatiful Mind”, në listën e prodhimeve dramatike më të mirë për çmimin Golden Globe ishin “Lord of the Rings” dhe filmat mjaft konkurues “Mulholland Drive”, ”In the Bedroom” dhe ”The man Who Wasn’t There”. Bashkë me filmin ”Moulin Rouge” në listën e filmit më të mirë muzikor apo komik janë edhe ”Bridget Jones’s Diary”, ”Legally Blonde”, filmi i animizuar me kompjuter, ”Shrenk” dhe filmi i regjisorit Robert Altman, ”Gosford Park”. Çmimet e Globit të Artë që jepen çdo vit në janar nga shoqata e Hollywoodit për shtypin e huaj, shpesh parathonë edhe fituesit e çmimit Oscar, që jepet në mars. Fituesit e Globit të artë shpesh janë konkurentët kryesorë edhe për çmimet Oscar. Këtë vit, edicioni i 59-të i Golden Globe ka një veçanti pasi kritikët janë të ndarë në vlerësimet për filmat më të mirë të këtij viti. Disa kritikë nga New Yorku quajnë si filmin më të mirë “Mulholland Drive”, kurse kritikë nga Los Angeles janë për filmin dramatik ”In the Bedroom”. Konkurrentë për Globin e Artë, në kategorinë e aktorit më të mirë në një film dramatik, janë Russel Crowe në “A Beautiful Mid”, Will Smith në filmin “Ali”, Kevin Spacey në filmin ”The Shipping News” dhe Denzel Washington në “Training Day”. Kurse për aktoren më e mirë në një film dramatik konkurron Halle Berry me ”Monster’s Ball”, Judi Dench me filmin ”Iris”, Nicole Kidman me filmin “The Others”, Sissy Spacek ”In the Bedroom” dhe Tilda Swinton në filmin “The Deep End”. Ndër konkurrentët e Globit të Artë për aktorin më të mirë në një film muzikor apo komedi bëjnë pjesë Gene Hackman në filmin “The Royal Tannenbaums” Ewan McGregor me ”Moulin Rouge”, John Cameron Mitchell për filmin ”Hidwing and Angry Inch”, Billy Bob Thornton me filmin “Bandits” dhe Hugh Jackman me “Kate & Leopold”. Për kategorinë e aktores më të mirë në një film muzikor apo komedi ishin aktoret Thora Birch për lojën në filmin ”Ghost World”, Cate Blanchett me filmin “Bandits”, Nicole Kidman me “Moulin Rouge”, Reese Witherspoon me “Legally Blonde” dhe Renee Zellweger me filmin “Bridget Jone’s Diary”. Konkurrentë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj janë filmi francez “Amelie”, filmi brazilian “Pas diellit”, ai indian “Dasmë në Muson”, ai boshnjak, ”Toka e askujt” dhe filmit meksikan “Edhe jot’ëmë”. Në kategorinë e komedive televizive konkurojnë serialet “Ally McBeal”, “Frasier”, “Friends”, “Sex and the city” dhe “Will & Grace”.

XS
SM
MD
LG