Lidhje

Duhalde presidenti i ri argjentinas - 2002-01-02


Presidenti i ri i Argjentinës, Eduardo Duhalde, i pesti brenda dy javëve, zotohet se do të kufizojë politikat e tregut të lirë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Zoti Duhalde i bëri këto komente gjatë një ceremonie në pallatin presidencial në Buones Aires ku ai morri në dorëzim postin e presidentit. Disa qindra përkrahës të presidentit të ri kishin dalë në sheshin Mayo, përpara pallatit presidencial.

Zoti Duhalde u zgjodh mbrëmë nga kongresi argjentinas për të qeverisur vendin deri në dhjetor të vitit 2003, kur mbaron mandati i ish presidentit Fernando De la Rua i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar për shkak të trazirave nëpër rrugë ku gjetën vdekjen 27 veta.

Zoti Duhalde është 60 vjeç, dhe ka shërbyer si nën president gjatë administratës së presidentit Carlos Menem. Ai gjithashtu ka qënë guvernator i Buenos Airesit për dy mandate.

Në fjalimin me rastin e pranimit të detyrës, zoti Duhalde tha se do të krijonte një qeveri të bashkimit kombëtar e cila do të hidhte themelet e një modeli të ri ekonomik për rimëkëmbjen e prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkohë, tregjet e Argjentinës vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura mes shqetësimeve rreth zhvlerësimit të monedhës si pasojë e kritikave të udhëheqësit të ri kundër modelit të ekonomisë së tregut të lirë, që e lidh vlerën e monedhës argjentinase peso me dollarin amerikan.

XS
SM
MD
LG