Lidhje

Robertson në Tiranë - 2002-01-17


Megjithëse qëllimi kryesor i vizitës së tij në Tiranë ishte diskutimi me autoritetet shqiptare për anëtarësimin e vendit në Nato, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike nuk i evitoi komentet dhe vlerësimet për gjendjen në Maqedoni ku ai do të shkojë sot. I pyetur nga Zëri i Amerikës për faktin që marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet dhe rrezikun që mund të sjellë për një konflikt të ri, lordi Robertson u përgjigj: “Një nga mesazhet e mia te forta nesër në Maqedoni do të jetë që marrëveshja duhet të zbatohet dhe duhet te zbatohet sa më shpejt”, tha sekretari i përgjithshëm i Natos duke shtuar se shpreson të mos ketë provokime nga asnjë palë. Ai deklaroi se nuk do të ketë asnjë falje për ata që e përdorin dhunën për qëllime politike.

Lidhur me shqetësimin e këtyre ditëve për blerjet e armatimeve që Maqedonia po kryen nga Ukraina, lordi Robertson tha se beson se qeveria maqedonase po i blen ato vetëm për qëllime mbrojtjeje. Një vend që dëshiron të anëtarësohet në Nato mund të blejë vetëm për qëllime mbrojtjeje saktësoi lordi Robertson duke paralajmëruar se “Eshtë e rëndësishme për cdo vend të mos blejë armë në disproporcion me nevojat individuale të tij”.

Duke folur për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Nato sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut shpjegoi se 9 vendet që kanë aplikuar për anëtarësim janë të barabarta dhe se ende nuk është marrë asnjë vendim. Por ai paralajmëroi se nuk mjafton vetëm dëshira. “Mjaft i rëndësishëm është dhe stabiliteti i vendit e kushdo që mund të krijojë probleme për këtë stabilitet vetëm sa e largon Shqipërinë nga Nato. Dyert e anëtarësimit në Nato mbeten të hapura por ato mund t’I mbyllin vetëm shqiptarët”, tha Lordi Robertson. Sekretari i Përgjithshëm i Natos u takua dje pasdite vonë më autoritetet më të larta të vendit dhe sot do të takohet me presidentin e Republikës. Nga ana e tij ai ka marrë edhe një herë angazhimin e qartë të Tiranës për të ecur në rrugën e anëtarësimit në Aleancën e Atlatintikut. Kryeministri Ilir Meta u shpreh se “ky angazhim nuk është vetëm politik por po bëhet edhe nëpërmjet reformave që janë ndërmarrë vecanërisht në transformimin e forcave të ushtrisë shqiptare”.

XS
SM
MD
LG