Lidhje

Përçarje  në udhëheqjen palestineze(3 shkurt) - 2002-02-03


Një grup i rëndësishëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, njoftoi se po e kufizon rolin e saj në këtë organizatë në shenjë proteste ndaj arrestimit të udhëheqësit të saj.

Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës njoftoi dje se nuk do të marrë pjesë në veprimtaritë e udhëheqjes palestineze përsa kohë që udhëheqësi i saj, Ahmed Saadat, mbahet në burg.

Zoti Saadat u arrestua në janar nga shërbimi palestinez i zbulimit lidhur me vrasjen në tetor të ministrit izraelit, Rehavam Zeevi. Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës mori përgjegjësinë për vrasjen e zotit Zeevi, duke thënë se ajo u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit të tij të mëparshëm, Abu Ali Mustafa.

Kjo përçarje ndodh ndërkohë që takimet izraelito palestineze të nivelit të lartë janë intensifikuar. Ministri i jashtëm izraelit, Shimon Peres, pati të premtëm takime me disa zyrtarë palestinezë në New York, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Ndërkohë, radio Izraeli njoftoi të premtën se kryeministri Ariel Sharon pati takime të fshehta me tri zyrtarë të lartë palestinezë. Ende nuk janë bërë komente zyrtare mbi takimin e zotit Sharon.

Ndërkohë, agjencia franceze e lajmeve thotë se gjatë një operaciuoni në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite kapi një person që dyshohet se është anëtar i grupit Hamas.

XS
SM
MD
LG