Lidhje

Rumsfeld akuzon Iranin (4 shkurt) - 2002-02-03


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, thotë se nuk ka dyshim se luftëtarë talebanë dhe të al-Kaidës kanë gjetur strehë në Iran pasi kanë ikur nga Afganistani.

Gjatë një interviste në rrjetin televiziv A-B-C, zoti Rumsfeld tha se kufiri i Iranit me Afganistanin është i pambrojtur dhe luftëtarë talebanë dhe të al-Kaidës po e kalojnë atë. Ai theksoi se Irani nuk ka ndjekur shembullin e Pakistanit dhe të dislokojë trupa përgjatë kufirit për të mos lejuar hyrjen e talebanëve dhe anëtarëve të al-Kaidës në territorin e tij.

Zoti Rumsfeld shtoi se Washingtoni ka marrë shumë njoftime se Irani po furnizon me armë fraksione të ndryshme në Afganistan në përpjekje për të shtuar ndikimin e tij dhe për të destabilizuar qeverinë e përkohshme afgane.

Irani hedh poshtë pohimet se po ndihmon talebanët e përmbysur. Teherani ngul këmbë se Irani ka qenë kundër talebanëve që kur regjimi fundamentalist mysliman syni mori pushtetin në vitin 1996.

Kryetari i parlamentit iranian, Mehdi Karubi, u bëri thirrje të gjithë iranianëve të marrin pjesë në një tubim masiv më 11 shkurt për të dënuar akuzat amerikane dhe për të përkujtuar revolucionin islamik të vitit 1979.

Ndërkohë, këshilltarja e presidentit Bush për çështje të sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice, mbrojti deklaratën e presidentit, në të cilën ai cilëson Irakun, Iranin dhe Korenë e Veriut si një bosht ligësie. Presidenti Bush thotë se këto tre vende mbështesin terrorizmin dhe kërkojnë të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë.

Zonja Rice theksoi se asnjeri nuk duhet të pretendojë se ato tre regjime janë të mira. Kritikët thonë se shprehja bosht ligësie është e gabuar dhe mund të ftohë aleatët e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG