Zyra Amerikane në Prishtinë kumtoi sot se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk do të tolerojë asnjë sulm mbi amerikanët. Këto komente janë bërë nëpërmjet një komunikate ku janë dënuar incidentet e së premtës të cilat përshkuan protestat kundër arrestimit të tre ish-pjestarëve të UÇK-së të dyshuar për krime lufte. Në komunikatë thuhet se dy nga shtatë policët e lënduar ishin amerikanë të cilët ndodhen në Kosovë që të ndihmojnë në vendosjen e sundimit të ligjit në mënyrë që të gjithë njerëzit e Kosovës të gëzojnë të drejta, liri dhe mbrojtje të barabartë.
Demonstruesit, thuhet në vazhdim të komunikatës, ndoqën njerëzit ”krimi i vetëm i të cilëve ishte se ata po pinin kafe para hotelit “ILIRIA” në vend që t’i bashkangjiteshin protestës, si dhe hodhën gurë mbi policët të cilët nuk bënë asgjë që t’i provokojnë ata.” ”Fatmirësisht, një polic amerikan i cili u godit me gur në kokë nuk e pësoi fatalisht nga ky sulm”, thuhet në komunikat duke shtruar pyetjen nëse mund të parafytyrohet se çfarë do të shkruhejn në ballinat e gazetave amerikane po të ndodhte ndryshe.
”Demokracia u jep të drejtën për të gëzuar liritë në suaza të ligjit, por jo të shkatërroni pronën dhe të lëndoni të tjerët. Është mjaft keq që disa pjesëtarë të shoqërisë, duket se mendojnë që kanë të drejtë të sulmojnë bashkëqytetarët e vet vetëm pse ata nuk pajtohen me autorët e sulmit.”
”Le të jetë plotësisht e qartë, thuhet më tej në komunikatë, se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk do të tolerojë sulmet ndaj amerikanëve. Nuk duhet të ketë fare dyshim se zyra e SHBA e përkrah plotësisht arrestimin e tre shqiptarëve të Kosovës të dyshuar se kanë kryer krime kundër bashkëkombasve të tyre.”
”Këto arrestime nuk janë një sulm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo ndaj Trupave Mbrojtëse. Përkundrazi, ato tregojnë se askush nuk është mbi ligjin, një vlerë për të cilën ka luftuar Ushtrija Çlirimtare e Kosovës e cila përbën thelbin e Trupave Mbrojtëse. Shumica e qytetarëve të Kosovës të cilët neveritën nga dhuna duhet të ngrejnë zërin dhe t’i bëjnë botës me die se as ata nuk do t’i tolerojnë sjellje të tilla të neveritshme.”
”Policia ndërkombëtare,thuhet mo poshtë me deklaratë, së bashku me shërbimin policor të Kosovës vepruan me guxim e vetëpërmbajtje dhe kjo nuk ishte një disfatë për Kosovën, por një sukses për të gjitha ato forca që mbështesin sundimin e ligjit dhe për të gjithë ata qytetarë të Kosovës që shikojnë nga e ardhmja me besim dhe shpresë.”
Ndërkohë misioni i Kombeve të Bashkuara ka njoftuar rregullat për organizimin e tubimeve publike. Sipas tyre, tubimet apo protestat duhet të paraqiten 48 orë para mbajtjes. Një person nga këshilli organizativ i protestës duhet të identifikohet dhe të jetë i gatshëm që të takojë policinë në mënyrë që të shpjegojë qëllimin e protestës, si dhe të caktohet data, koha dhe vendi i mbajtjes së saj. Organizatori po ashtu duhet të njoftojë organet e policisë lidhur me planin e protestës, si dhe të japë garanci se protestuesit nuk do të largohen nga rruga e paralajmëruar.
Autoritetet e policisë thonë se nuk do të lejohet mbajtja e protestave publike në rast se nuk janë plotësuar kushtet dhe se organizatori do të njoftojë kohës së caktuar për mbajtjen e tyre.