Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush për bisedime në lidhje me një numër çështjesh, midis të cilave edhe lufta kundër terrorizmit.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë edhe për fatin e gazetarit të rrëmbyer të gazetës Wall Street Journal, Daniel Pearl. Zyrtarët amerikanë dhe ata pakistanezë kanë bërë përpjekje për gjetjen e zotit Pearl, i cili i u zhduk më 23 janar në qytetin pakistanez Karachi, ndërsa po përgatiste një reportazh në lidhje me ekztremizmin islamik.
Dje, policia e Pakistanit arrestoi personin që mendohet se është ideatori i rrëmbimit të tij, ekstremistin islamik Ahmed Omar Saeed Sheikh, i cili sipas njoftimeve, u ka thënë personave që e kanë marrë në pyetje se zoti Pearl është gjallë në Karaçi.