Lidhje

Teknologji e re për nënat e reja (11 mars) - 2002-03-11


Një monitor i ri i fetusit, i projektuar nga NASA, e ndihmon nënën të kontrollojë rrahjet e zemrës të fetusit dhe t’ia transmetojë informacionin zyrës së mjekut, nëpërmjet telefonit.

Monitori i ri, është projektuar nga Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, për të lehtësuar disa nga shqetësimet e nënave me probleme të mëdha shtatzanie. Inxhinierë të Nasës e projektuan monitorin duke përdorur teknologjinë e astronautikës, e krijuar fillimisht për të studiuar rrjedhën e ajrit mbi krahët e aeroplanit. Doktori Allan Zuckerwar, një nga shpikësit e monitorit, shpjegon përse kjo teknologji është ideale në përdorimet e saj mjekësore. “Pajisja përshtatet mbi një sipërfaqe të përkulur të rrahur nga rrjedha ajrore. Kjo e bën atë të gjejë një përdorim ideal në mjekësi, duke u përshtatur fare mirë mbi barkun e gruas shtatzënë" thote mjeku.

Një nënë në shtëpi mund ta vendosë monitorin mbi barkun e saj dhe ta lidhë me një pajisje kontrolli të kompjuterizuar për të dëgjuar rrahjet e zemrës të fetusit. Ajo pastaj ia transmeton sinjalet zyrës së mjekut të saj nëpërmjet telefonit. Nasa e zhvilloi këtë teknologji, duke iu përgjigjur një kërkese të bërë nga mjeku, Donald Baker, i cili punonte kryesisht në rajone të thella. Ai tregon se e kishte parë me sytë e tij se sa vështirë e kishin pacientët të siguronin shërbimin e duhur mjekësor. “ Ka shumë rajone rurale ku mund të përdoret një monitor i tillë. Lëvizja me makinë në dëborë e shi, nëpër disa rrugë nuk është e lehtë. Kështu që më duket se ia vlen t’i pajisim pacientët me një pajisje të tillë portative.”

Pajisjet që përdoren aktualisht për të kontrolluar zemrën, në përgjithësi punojnë mirë, por kushtojnë mijëra dollarë dhe shumica mund të përdoren vetëm në një klinikë ose në zyrën e doktorit. Doktor Baker siguroi një patentë nga Nasa, e cila shkëmben teknologjinë e periudhës së hapësirës me botën afariste, për të gjetur një rrugë jo shumë të kushtueshme për prodhimin e monitorit.

XS
SM
MD
LG