Lidhje

Kalendari Historik 19 mars - 2002-03-19


19 marsi është data kur çdo vit banorët e San Huan Kapistranos, një komunitet në Kaliforninë Jugore, kremtojnë kthimin e dallëndysheve. Kjo ngjarje ka qenë burim frymëzimi për një këngë dashurie, interpretuar, ndërmjet të tjerësh, edhe nga kompleksi i njohur muzikor, Glen Miller dhe këngëtari Rey Eberle. Më 1776, kur ndërtesa e misionit katolik të San Huan Kapistrano, përfundoi së ndërtuari, dallëndysheve iu duk e përshtatshme të ndërtonin çerdhet e tyre prej balte nën strehët mbrojtëse të ndërtesës. Që nga ajo kohë, çdo vit tufa të mëdha dallëndyshesh, kthehen çdo 19 mars tek misioni dhe lagjja përreth. Ato nisen nga një rajon i Argjentinës dhe përshkojnë një largësi prej 9 mijë e 600 kilometrash. Nga të dhënat e deritanishme del se dallëndyshet janë vonuar vetëm një herë, për shkak të një stuhie në det. Komuniteti i San Huan Kapistranos, që u shtua përreth misionit, e kremton këtë ngjarje çdo vit me festime që zgjasin një muaj. Gjatë këtyre festimeve organizohen vizita në vende historike, bëhet një paradë dhe në përputhje me trashëgiminë hispanike të Kalifornisë, organizohet një Fiesta në stilin tradicional meksikan.

Më19 mars 1918, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi projektligjin për Kohën Zyrtare. Ligji i ri autorizonte Komisionin e Tregtisë Ndërshtetërore, të përcaktonte zonat e kohës zyrtare për Shtetet e Bashkuara. Deri në atë kohë, nuk ishte e pazakontë që koha e saktë të ndryshonte nga një komunitet në tjetrin, në varësi të pozicionit të diellit në një çast të dhënë. Por zhvillimi i transportit dhe ndërlidhjes së shpejtë, kërkonin një sistem më të bashkërenduar. U krijuan 4 zona kohore, me një orë ndryshim nga njëra-tjetra, për 48 shtetet që në atë kohë formonin Shtetet e Bashkuara. Ligji i Kohës Zyrtare i vitit 1918, autorizonte gjithashtu edhe shtyrjen e orës për të kursyer energji gjatë ditës, gjatë disa periudhave, si ajo e Luftës së Parë Botërore, që ishte duke u zhvilluar në atë kohë. Kursimi i energjisë gjatë ditës vazhdon të përdoret akoma në Shtetet e Bashkuara, në pranverë dhe në verë.

XS
SM
MD
LG