Lidhje

Papa: Paqe  në Lindjen e Mesme! - 2002-03-30


Papa Gjon Pal bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme.

Mesazhin e tij tradicional të Pashkëve të quajtur ”Urbi et Orbi”-”Drejtuar qytetit dhe botës”, Papa Gjon Pali i Dytë e ktheu në një denoncim të konflitit në Lindjen e Mesme.

Kreu i Selisë së Shenjtë, që po përballon vuajtjet e veta fizike, tha se ngjarjet tragjike të kohëve të fundit e kanë zhytur Tokën e Shenjtë në tmerr dhe dëshpërim. Ai u bëri thirrje udhëheqësve politikë dhe fetarë, si edhe të krishterëve në të gjithë botën, që të punojnë së bashku për të vendosur paqen në rajon.

Fjalimi i Pashkëve përmbyllte një sërë ceremonish të gjata të Javës së Shenjtë, në të cilat Papa 81 vjeçar, në një gjendje të vështirë shëndetësore, u detyrua të mos merrte pjesë në disa rite për herë të parë në gjithë periudhën 23 vjeçare të papatit të tij. Më parë, me ndihmën e dy kardinalëve, ai mbajti Meshën e së dielës së Pashkëve në shkallët e Bazilikatës së Shën Pjetrit.

Dje në mbrëmje, ai shpalli fillimin e Pashkëve me një shërbesë tri-orëshe në Bazilikatën e Shën Pjetrit. Duke qendruar ulur, ai pagëzoi nëntë persona nga Shqipëria, Japonia, Polonia, Republika Demokratike e Kongos, Kina dhe Italia të cilët kanë përqafuar besimin katolik.

Gjatë shërbesave të së Premtes së Mirë në Vatikan, Papa Gjon Pali u lut për Paqe në Lindjen e Mesme, por nuk ndenji gjatë në ceremonitë e mbajtura në Koloseun antik të Romës.

Ai bëri thirrje për vendosjen e respektit të dyanshëm mes vendeve të përfshira në dhunë. Para fjalimit, Papa mbajti Meshën e Pashkëve në shesh, duke kremtuar ditën më të shenjtë të kalendarit të krishterë.

Sot, miliona të krishterë nderojnë ditën në të cilën ata besojnë se u ringjall Jezu Krishti.

Edhe besimtarët katolikë në hapësirat shqiptare festuan sot ditën e Pashkëve.

Në Tiranë, festimet nisen qysh mbrëm me një meshë në katedralën e re Shën Pali në kryeqytet.

Sot gjatë gjithë ditës autoritetet më të larta të vendit i bënë vizita kryepeshkopit të Tiranës e Durrësit dhe kryetar, imzot Rrok Mirdita.

Presidenti Rexhep Meidani me rastin e Pashkëve uroi më shumë paqe dhe solidaritet mes njerëzve dhe më pak politikë.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, imzot Ëngjëll Masafra, tha sot në Shkodër se shqiptarët duhet të mësojnë nga historia e tyre me qëllim që të punojnë për bashkëjetesë dhe për të mirën e Shqipërisë.

Festa e Pashkëve u kremtua në të gjitha kishat katolike të Kosovës duke bërë thirje për paqe dhe mirëkuptim midis njerzëve. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Mark Sopi, tha sot në Prishtinë se kremtimin e sivjetëm të Pashkëve e bën më madhërishëm krijimi i institucioneve dhe lirimi i të burgosurve politikë nga burgjet e Serbisë.

XS
SM
MD
LG