Lidhje

Shkodër: protestë kundër krimit - 2002-04-03


Në Shkodër protestë kundër krimit

Për më shumë se 2 orë, disa qindra banorë të Shkodrës,mes të cilëve edhe shumë gra e fëmijë, protestuan më 3 prill nëpër rrugët e qytetit me parulla në duar dhe me thirrje kundër krimit. Duke marrë shkas nga ngjarja tronditëse e pak ditëve më parë kur një banor i Shkodrës vrau një grua dhe fëmijën e saj 3-vjeçare, protestuesit bënë thirrje për dënime më të ashpra ndaj autorëve të krimeve të rënda. Vargu i protestuesve u ndal përpara ndërtesës së bashkisë, asaj të prefekturës dhe gjykatës së rrethit Shkodër, duke synuar nxitjen e strukturave vendore për të ndikuar në parandalimin e krimit, por edhe ashpërsimin e luftës kundër tij.

Po sot, drejtues të gjykatës së Shkodrës u shprehën se, ashtu siç e parashikon edhe ligji shqiptar, gjykata do të vendosë në lidhje me dënimin e personit që vrau gruan dhe fëmijën 3-vjeçar dhe që, vetëm 2 muaj më parë, kishte vrarë edhe 2 persona të tjerë . Në Shkodër, krimi i vrasjes është mjaft i përhapur dhe, sipas statistikave të policisë, rreth 40% e vrasjeve kryhen per motive të gjakmarrjes. Vetem në 3 muajt e këtij viti, në Shkodër janë kryer 10 vrasje.Vitet e fundit, pjesa më e madhe e autorëve të vrasjeve kanë mundur t’i shpëtojnë kapjes dhe ndëshkimit nga organet e drejtësisë.

Në listën e policisë së Shkodrës, të publikuar pak ditë më parë, gjenden edhe emrat e 93 personave të kërkuar për krimin e vrasjes. Për një pjesë prej tyre është shpallur edhe kërkimi ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG