Lidhje

Kalendari Historik 18 prill - 2002-04-18


Në orën 5:13 të 18 prillit 1906, shumica e banorëve të San Fransiskos në Kaliforni, ndodheshin në gjumë. Por, thellë nën tokë, formacionet gjeologjike filluan të lëkunden. Tërmeti shkaktoi shembjen e menjëhershme të ndërtesave në këtë qytet të begatë. Ndërtesa e bashkisë ishte ndër të parat që u shemb, e ndjekur shpejt nga Hoteli Palace dhe kubeja e tij prej xhami, e cila u shpërbë në copëra të panumërta. Kur toka pushoi së lëkunduri, nga tubacionet e prishura të gazit natyror shpërtheu zjarri, i cili u përhap në të gjithë qytetin. Zjarrfikësit e San Franciskos ishin të pafuqishëm ndaj kësaj katastrofe, sepse gjatë tërmetit ishin dëmtuar edhe tubacionet e ujit. Tërmeti dhe zjarret që zgjatën katër ditë morën të paktën 500 jetë njerëzish, lanë dhjetra mijëra të patstrehë dhe shkretuan 12 hektarë në zemër të qytetit. Dëmet u vlerësuan në shifrën e 400 milionë dollarëve. Të tronditur, por të vendosur, ata që mbijetuan, e rindërtuan San Franciskon. Ata e festuan këtë sukses duke organizuar në vitin 1915 një ekspozitë të madhe ndërkombëtare për ta reklamuar qytetin e tyre në sytë e botës. Më 18 prill 1775, argjendari nga Bostoni, Paul Revere, themeloi garën më të famshme të kuajve me kalorës në historinë amerikane. Revere dhe William Dawes, anëtarë të organizatës Djemtë e Lirisë e cila punonte për pavarësinë, u dërguan të paralajmëronin patriotët se trupat britanike po vinin të sekuestronin rezervat e tyre të armëve dhe të barutit që gjendeshin në fshatin Concord të kolonisë Massachusetts. Historiani Joel Cohen i Universitetit Rhode Island thotë se orvajtja për të lajmëruar patriotët gati sa nuk dështoi sepse kalorësit u ndaluan nga një patrullë britanike në qytetin Lexington i cili ndodhet në rrugën për në Concord. ”Revere dhe Dawes, tregon historiani, ishin kapur nga britanikët, ashtu si edhe doktor Samuel Prescott, i cili ishte bashkuar me ta. Por Prescot arriti të arratisej dhe qe në gjendje të vazhdonte rrugën deri në Concord që të paralajmëronte banorët e këtij fshati se po arrinin trupat britanike. Kështu që ata filluan të hiqnin armët dhe municionin që kishin ruajtur atje.” Paul Revere u lirua shpejt nga britanikët. Më vonë gjatë Luftës Revolucionare, ai shërbeu në radhët e ushtrisë amerikane si korrier. Ai u mor me prodhimin e barut dhe skicoi e shtypi para’ për bashkatdhetarët e tij amerikanë. Sot, Paul Revere kujtohet pjesërisht për mjeshtërinë e tij si argjendar. Por ai njihet më tepër për udhëtimin që bëri atë natë, i cili u bë i pavdekshëm përmes një vjershe të poetit Henry Longfellow. Vjersha nxjerr në pah rolin e tij në këtë akt heroizmi që, në fakt, është i përbashkët me William Dawes-in i cili është harruar thuajse krejtësisht në ditët e sotme.

XS
SM
MD
LG