Në debatin më të fortë që nga fushata presidenciale e vitit 2000, Presidenti Bush dhe ish rivali i tij politik, Al Gore po përcjellin sot mesazhe konkurruese mbi ambjentin, në fjalimet me rastin e Ditës së Tokës. Zoti Bush do të shkojë në Malet Adirondack në New York për t’i dhënë një shtytje nismës së tij ”Qiej të pastër”, një plan për përdorimin e stimulit financiar për të nxitur centralet elektrike që të pakësojnë vullnetarisht lëshimin e gazrave.
Ndihmësit e zotit Gore thonë se në një fjalim në Universitetin Vanderbilt në Tennessee, ai do të mbështesë idenë se plani i zotit Bush do të çojë në një rritje të çlirimit të dëmshëm të gazrave. Në një koment botuar të dielën në gazetën New York Times, ish nënpresidenti i Partisë Demokratike e akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po përpiqej të krijonte paqartësi dhe dyshim mbi çështjet e ngrohjes globale.