Shtetet e Bashkuara e mirëpritën njoftimin e Jugosllavisë se 6 serbë të akuzuar për krime lufte kanë pranuar të dorëzohen vetë në Gjykatën e Hagës, por nuk kanë vendosur nëse do ta rifillojnë ndihmën ekonomike për Beogradin.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e quajti njoftimin një shenjë të mirë që tregon se autoritetet e Beogradit e pranojnë nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës. Por ai theksoi se tani i takon qeverisë jugosllave për t’i arrestuar personat e akuzuar dhe për t’i transferuar ata sa më shpejt në Hagë. Ai bëri thirrje përsëri që të gjithë personat e dyshuar për krime lufte, duke përfshirë ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe shefin e tij të ushtrisë, gjeneralin Ratko Mlladiç, t’i dorëzohen Gjykatës së Hagës.
Më 31 mars, Shtetet e Bashkuara bllokuan rreth 40 milion dollarë ndihma tepër të nevojshme për Jugosllavinë, pasi autoritetet e Beogradit nuk demonstruan bashkëpunim të mjaftueshëm me Gjykatën e Hagës sipas afatit të vendosur nga Kongresi amerikan.
Ndihma mund të rifillojë vetëm kur Sekretari i Shtetit Colin Powell t’i vërtetojë Kongresit se Jugosllavia ka filluar bashkëpunimin me Gjykatën ndërkombëtare.