Një gjykatë ushtarake palestineze dha dënime burgimi për katër ekstremistë, të cilët i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e një ministri izraelit vitin e kaluar.
Megjithatë, këto dënime nuk ndryshuan qëndrimin e Izraelit, i cili këmbëngul që palestinezët duhet ti dorëzojnë këta persona për tu gjykuar nga Izraeli para se të hiqet bllokada ushtarake ndaj udhëheqësit palestinez Jaser Arafat.
Në një deklaratë të autoritetit palestinez thuhej se gjykata, e mbledhur në selinë e rrethuar të zotit Yasser Arafat në Ramallah, i shpalli fajtorë të katër të pandehurit për vrasjen në muajin tetor të ministrit izraelit të turizmit, Rehavam Zeevi. Sipas deklaratës, afatet e burgimit shkojnë nga një vit deri 18 vjet me punë të detyruar.
Kryeministri izraelit Ariel Sharon nuk e përfilli vendimin e gjykatës palestineze dhe përsëriti kërkesën e tij për ekstradimin e vrasësve të zotit Zeevi.
Ndërkohë nëntë të rinj palestinezë dhe dy trupa pa jetë u evakuuan nga Kisha e Lindjes së Krishtit në Betlehem, ku palestinezë të armatosur vazhdojnë të jenë të rrethuar nga forcat izraelite prej më shumë se 3 javëve. Dy murgj dolën nga Kisha bashkë me grupin, pas një marrëveshjeje me ushtrinë izraelite. Nga Kisha u nxorrën edhe trupat e dy palestinezëve të vrarë me armë zjarri në afërsi të ndërtesës. Trupat izraelite përdorën bombat tymuese për të mos lejuar gazetarët të vëzhgonin se çfarë po ndodhte në Kishë.