Shtetet e Bashkuara rihapën ambasadën e tyre në Pakistan dhe dy konsullata të tjera, por misioni amerikan në Karaçi vazhdon të jetë i mbyllur, pas shpërthimit vdekjeprurës me makinë bombë të premten e kaluar.
Zyrtarët amerikanë njoftojnë për veprimtari normale në ambasadën në Islamabad dhe në konsullatat në Lahore dhe Peshavar. Është planifikuar që konsullata në Karaçi të hapet nesër nën masa të rrepta sigurimi.
Të paktën 20 punonjës të FBI-së dhe policia pakistaneze po bëjnë hetime në vendin e shpërthimit për të gjetur prova.
Autoritetet thonë se kanë marrë në pyetje dhjetra njerëz në lidhje me shpërthimin masiv, nga i cili humbën jetën 12 veta dhe u plagosën 50 të tjerë.