Lidhje

Presidenti Bush parashtron politikën mbi Lindjen e Mesme - 2002-06-25


Presidenti amerikan George Bush mbajti dje një fjalim të shumë-pritur mbi politikën në Lindjen e Mesme, ku parashtroi një plan të ri amerikan për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Në fjalën e tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se “gjërat duhet të ndryshojnë” në Lindjen e Mesme, duke theksuar vizionin e tij për një shtet izraelit dhe një shtet palestinez që jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe. Ai u bëri thirje palestinezëve të zëvendësojnë Yasser Arafatin, duke thënë se paqja kërkon një udhëheqje të re dhe të ndryshme: "Kur populli palestinez të ketë udhëheqës të rinj, institucione të reja dhe masa të reja sigurie me fqinjët, Shtetet e Bashkuara do të përkrahin krijimin e një shteti palestinez, i cili do të ketë kufij si dhe disa aspekte provizore sovraniteti, deri sa të arrihet një zgjidhje përfundimtare në Lindjen e Mesme". Presidenti tha se Izraeli nuk mund të vazhdojë të jetojë në frikë dhe terror dhe se palestinezët nuk mund të vazhdojnë të jetojnë të pushtuar. Ai shtoi se shteti palestinez duhet të ngrihet me reforma dhe jo terror. "Reformat kërkojnë ndryshime të thella dhe jo përpjekje të maskuara për të ruajtur status quonë. Reforma e vërtetë do të kërkojë institucione krejtësisht të reja politike dhe ekonomike bazuar në demokracinë, ekonominë e tregut dhe masat kundër terrorizmit" tha zoti Bush. Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar janë të gatshëm të ndihmojnë palestinezët të marrin masa drejt krijimit të shtetit: "Nëse palestinezët përqafojnë demokracinë, i kundërvihen korrupsionit dhe luftojnë me vendosmëri terrorin, ata do të kenë mbështetjen amerikane për krijimin e një shteti palestinez". Presidenti Bush tha se edhe në kushtet e dhunës dhe trazirave të Lindjes së Mesme, shpresa universale e begatisë, lirisë dhe dinjitetit ka fuqinë t’i transformojë vendet: "Ky moment është njëkohësisht një mundësi për të hedhur themelet për paqe në të ardhmen, si dhe një provë që zbulon se kush është i angazhuar seriozisht për paqen. Zgjedhja është e qartë. Bibla thotë “Të kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, prandaj duhet të zgjedhësh jetën.” Ka ardhur koha që të gjitha palët në konflikt të zgjedhin paqen, shpresën dhe jetën.

Ndërkaq tanket izraelite hynë sot herët në Hebron të Bregut Perendimor, duke ndërmarë kështu edhe një inkursion tjetër në zonat e kontrolluara nga palestinezët. Burimet palestineze të sigurimit thanë se të paktën katër policë u vranë ndërsa forcat izraelite hyjnë në pjesën palestineze të qytetit të ndarë.

Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se një numër i madh ekstremistësh të dyshuar u arrestuan në Hebron, ku ushtarët zbuluan gjithashtu një fabrikë për prodhimin e eksplozivëve. Izraeli ka dislokuar forca në të paktën gjashtë qytete palestineze gjatë javës që kaloi, pas një serie sulmesh palestineze, nga të cilat u vranë më shumë se 30 izraelitë.

XS
SM
MD
LG