Një mosmarrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve ka vënë në dyshim të ardhmen e afërt të misionit paqeruejtës të Kombeve të Bashkuara në Bosnje.
Dje, Shtetet e Bashkuara përdorën veton kundër zgjatjes së misionit. Ky hap u mor pasi Këshilli hodhi poshtë kërkesën që paqeruejtësve amerikanë t’u jepej imunitet ndaj arrestimit dhe ndjekjes penale nga ana e gjykatës ndërkombëtare të krimeve. 13 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të zgjatjes së mandatit të misionit në Bosnie.
Më pas Shtetet e Bashkuara u bashkuan me vendet anëtare të tjera të këshillit, të cilat votuan njëzëri për zgjatjen e misionit edhe për tri ditë të tjera.
Diplomatët kanë afat deri të merkurën në mesnatë për arritjen e një kompromisi.