Lidhje

Izraeli vendosi të heqë kufizimet në Bregun Perëndimor - 2002-07-03


Izraeli vendosi të heqë shkallë-shkallë gjatë ditës kufizimet e vëna ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e anëtarëve të lartë të kabinetit. Mirëpo, zyrtarë izraelitë thonë se ndalim-qarkullimi gjatë natës për qindra mijëra palestinezë do të mbetet në fuqi dhe se autoritetet e mbrojtjes do të vendosin saktësisht se kur dhe në të cilat zona do të hiqet ndalim-qarkullimi gjatë ditës. Që nga ripushtimi i shtatë qyteteve më të mëdha palestineze gjatë dy javëve të fundit, forcat izraelite kanë filluar të heqin ndalim-qarkullimin vetëm për një kohë të kufizuar, për t’u dhënë palestinezëve mundësi të sigurojnë furnizimet e nevojshme. Kryeministri Ariel Sharon ka thënë se forcat ushtarake do të qendrojnë në zonat palestineze derisa të ndërpriten sulmet terroriste kundër civilëve izraelitë. Dje, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, i bëri thirrje Izraelit që ta lehtësojë fushatën e fundit ushtarake në Bregun Perëndimor me qëllim që të ndihmojë procesin e reformave palestineze.

Ndërkaq një zyrtar i lartë palestinez i sigurimit, Jibril Rajoub, i hodhi poshtë njoftimet se udhëheqësi palestinez, Yasser Arafat, e kishte shkarkuar atë nga detyra. Burime palestineze njoftuan dje se zoti Rajoub ishte shkarkuar nga posti i shefit të shërbimit parandalues të sigurimit për Bregun Perëndimor. Por zoti Rajoub e mohon këtë. Ai tha se mendon që dikush po përpiqet të dëmtojë shërbimet e sigurimit duke përhapur trillime. Zotit Arafat po i bëhet trysni nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkura për të ristrukturuar shërbimet palestineze të sigurimit.

XS
SM
MD
LG