Lidhje

Presidenti Bush uron Ditën e Pavarësisë - 2002-07-04


Dita e Pavarësisë këtë vit është krejt e veçantë pasi është hera e parë që kjo festë kombëtare kremtohet pas sulmeve ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

Në mbarë vendin janë forcuar masat e sigurisë, por qyteti i vogël Ripley në Virginian Perëndimore ishte përfshirë nga entuziazmi kur presidenti Bush mbajti fjalimin e tij me rastin e 4 Korrikut.

I veshur me një këmishë verore nën diellin përvëlues, presidenti tha para mijëra vetëve që ishin mbledhur në sheshin para gjykatës së qytetit se amerikanët janë të bashkuara në mbrojtje të lirisë. “Në vitin e 226 të pavarësisë sonë, e kemi parë se patriotizmi amerikan është gjallë. Ne e duam edhe më shumë vendin tonë kur kërcënohet,” the zoti Bush.

Turma brohoriti kur presidenti preku tema patriotike dhe theksoi se uniteti kombëtar është forcuar që pas sulmeve të 11 shtatorit.

“Kur i ndoqëm ngjarjet e asaj dite, asnjë amerikan nuk mendoi se këto sulme ishin drejtuar mbi dikë tjetër. Këto sulme ishin drejtuar mbi të gjithë ne,” tha presidenti. Zoti Bush theksoi se Amerika u bashkua nga dhimbja, ndërsa tani është e bashkuar nga vendosmëria për të mbrojtur qytetarët e saj dhe për të mundur armikun.

“Edhe këtë radhë historia i ka kërkuar Amerikës të përdorë forcën e saj të madhe në mbrojtje të lirisë. Pikërisht këtë do të bëjmë, tha presidenti.

Veteranë dhe pjesëtarë të forcave të armatosura e rrethuan presidentin. Zoti Bush ngriti lart kontributin e tyre për vendin, duke thënë se pika më e fortë e Amerikës në luftën kundër terrorizmit është ushtria e saj.

Pastaj presidenti u ofroi një dhuratë të veçantë me rastin e 4 korrikut 15 mijë imigrantëve që tani kryejnë shërbimin ushtarak në radhët e ushtrisë amerikane. Këta imigrantë do të bëhen shtetas amerikanë përmes një procesi të përshpejtuar.

“Këta burra dhe gra e duan atdheun tonë. Ata e tregojnë këtë me përkushtimin e tyre të përditshëm për detyrën. Si shenjë respekti për shërbimin e tyre të guximshëm në këto kohë lufte, kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv për t’u lejuar atyre të drejtën të kërkojnë menjëherë shtetësinë në Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti.

Kur presidenti Bush po mbante fjalimin, njerëz në turmë ngrinin flamurin amerikan. Në bazë të vendimit të marrë kohët e fundit nga një gjykatës federal në Kaliforni, betimi para flamurit nuk duhet recituar në shkolla sepse në të përfshihen fjalët “nën Zotin.” Gjykatësi argumentoi se këto fjalë shkelin ndarjen me kushtetutë të kishës dhe shtetit.

Në Ripley, të pranishmit recituan në fillim të festimeve me rastin e 4 Korrikut teksin e plotë të betimit. Presidenti e bëri të qartë miratimin e tij të fortë, duke thënë se asnjë autoritet qeveritar nuk ka të drejtë t’u thotë amerikanëve se s’mund të bëjnë betimin, siç shkruhet në të “një vend, nën Zotin”.

MASA TE RREPTA SIGURIE

Miliona njerëz po festojnë sot katër korrikun në të gjithë vendin. Këto do të jenë festimet e para të Ditës së Pavarësisë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Agjencitë e ruajtjes së rendit, Byroja Federale e Hetimeve dhe qeveria federale po bashkojnë forcat për të marrë masa sigurie në të gjithë vendin për mbrojtjen e qytetarëve amerikanë nga çdo lloj kërcënimi që ne mendojmë se mund të jetë potencial, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer.

Në Uashington, avionët ushtarakë reaktivë po patrullojnë qiellin e kryeqytetit. Disa mijra policë janë në rrugë. Kamerat e sigurimit po vëzhgojnë krejt parkun qendror të Uashingtonit, ku qindra mijë njerëz do të ndjekin sonte fishekzjarret.

Në Nju Jork, 4 mijë policë po patrullojnë qytetin. Si në Nju Jork edhe në Uashington, njerëzit dhe makinat do të jenë objekt i kontrollit të policisë.

Byroja Federale e Hetimeve ka paralajmëruar policinë në të gjithë vendin për një sulm të mundshëm terrorist më 4 korrik.

XS
SM
MD
LG