Lidhje

Protesta bllokon rrugën Shkup-Tetovë - 2002-07-08


Komisioni për personat e rrëmbyer dhe të zhdukur pohoi sot në Shkup se nuk kishte arritur të plotësonte detyrën e tij: gjetjen e personave të zhdukur dhe të rrëmbyer.

Kryetari i komisionit, ambasadori Lars Wahlund, i cili paraqiti raportin për fatin e 13 maqedonasve, 6 shqiptarëve dhe 1 bullgari, të gjithë të zhdukur, fajësoi qeverinë maqedonase, ministrinë e brendshme dhe udhëheqësinë e UCK-së për mos-dhënie dhe mbajtje të informacioneve. Në raportin e përgatitur pohohet se nuk është arritur progress në hetime pikërisht për mos-dhënie të informacioneve për të 20 të zhdukurit në periudhën nga 17 prilli deri më 31 gusht të vitit të kaluar. Në raport thuhet se ka individë brenda forcave maqedonase të policisë që kanë informacion lidhur me fatin e 3 të zhdukurve shqiptarë dhe disa individë të caktuar brenda ish-UCK-së që kanë informacion për fatin e 8 të zhdukurve maqedonas. Megjithatë asnjë prej këtyre informacioneve nuk është dhënë. Kryetari i komisionit për personat e rrëmbyer dhe të zhdukur ka theksuar sot në Shkup se komuniteti ndërkombëtar mund të mbështesë, të inkurajojë dhe të bëjë presion, por nuk është përgjegjës për këtë cështje. Komisioni ka zhvilluar në Maqedoni intervista me të afërmit e personave të zhdukur, takime me individë dhe institucione që besohet se kanë informacion për këtë problem.

Ambasadori Wahlund ka theksuar gjithashtu se për personat që përmenden në raport, nuk nënkuptohet se kanë përgjegjësi kriminale, por besohet se ata kanë mundësi të kenë ose të marrin më shumë informacion për personat e zhdukur. Ndër rastet për të cilat komisioni mendon se ka informacion të bazuar për të zhdukurit, janë rastet e tre shqiptarëve, nga të cilët njëri është marrë dhe pyetur nga njësitë e policisë maqedonase para se të zhdukej, njëri është parë pasi ka kaluar në një postbllok të policisë ndërsa i treti është zhdukur duke kaluar nëpër zona të kontrolluara nga policia dhe të nesërmen makina e tij është gjetur pranë stacionit policor në Manastir.

Në rastet e maqedonasve të zhdukur, për 8 raste besohet se janë rrëmbyer nga persona në uniformë të UCK-së ndërsa të tjerët besohet se janë rrëmbyer ndërkohë që lëviznin në zona ku mund të kenë kaluar përmes njësive të UCK-së. Megjithatë, komisioni nuk ka informacion të plotë për të thënë nëse këta persona janë gjallë apo të vdekur. Ambasadori Wahlund ka thënë gjithashtu se përfaqësues të ish-UCK-së kanë thënë se për 8 prej maqedonasve të zhdukur, mund të ketë informacion një njësi e ish-UCK-së mbi të cilën strukturat drejtuese të ish-UCK-së kishte kontroll të kufizuar. Megjithatë ambasadori ka theksuar se nuk ka informacion të hollësishëm për këtë. Raporti do të jetë i gatshëm edhe për tribunalin e Hagës.

Të afërmit e 12 maqedonasve të zhdukur gjatë kohës së konfliktit të vitit të kaluar në Maqedoni, bllokuan sot që nga mëngjesi gjatë tërë ditës lëvizjen e automjeteve në rrugën kryesore që lidh Shkupin me Tetovën në afërsi të fshatit Zhelinë, duke bllokuar kështu gjithë komunikacionin në këtë aks rrugor dhe duke krijuar rradhë makinash që prisnin për të kaluar. Protestuesit kërkojnë të dinë për fatin e 12 të zhdukurve nga Tetova, Bellovishta dhe Dobroshi dhe thonë se po e bllokojnë këtë arterie kryesore në shenjë proteste sepse për më shumë se një vit nuk duhet asgjë për fatin e tyre. Të dy anët e autostradës janë të bllokuara, madje edhe rruga e vjetër ku janë formuar kolona makinash në pritje. Burime shqiptare dhe maqedonase pohuan se gjatë kësaj bllokade janë dëgjuar breshëri të shtënash me armë zjarri, por deri tani nuk është bërë e ditur për viktima.

XS
SM
MD
LG