Lidhje

11 palestinezë u vranë nga një sulm izraelit me raketë - 2002-07-21


Zyrtarë palestinezë thonë se të paktën 11 palestinezë u vranë si pasojë e një sulmi me raketë nga një aeroplan luftarak izraelit F-16 kundër qytetit të Gazës.

Ushtria izraelite njoftoi se sulmi vuri në shënjestër dhe goditi shtëpinë e Salah Shehade, shefi ushtarak i grupit ekstremist palestinez, Hamas, në Rripin e Gazës. Zoti Shehade është një nga ekstremistët palestinezë më të kërkuar prej organeve izraelite të drejtësisë. Por ka njoftime kundërthënëse lidhur me faktin në se u vra apo jo gjatë sulmit, udhëheqësi i Hamasit. Grupi Hamas thotë se zoti Shehade është gjallë. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, njoftimet që vinin nga altoparlantët në Gaza thoshin se zoti Shehade ishte plagosur.

Dëshmitarë të sulmit të djeshëm thonë se raketa e lëshuar nga ajri goditi shtëpinë e zotit Shehade në qytetin e Gazës, duke e kthyer atë dhe disa të tjera përreth saj në gërmadha. Punonjës të një spitali lokal thonë se numri i të plagosurve arrin në rreth 100 veta.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, e dënoi sulmin. Në një deklaratë, zoti Annan tha se Izraeli ka përgjegjësinë të shmangë vrasjen e njerëzve të pafajshëm, gjë që nuk e bëri kur goditi me raketë një zonë me popullsi të dëndur.

Sulmi u krye ndërkohë që izraelitë dhe palestinezë dukej se po përpiqeshin të ulnin tensionin në konfliktin e tyre 22 mujor. Dje Izraeli lejoi një palestinez të moderuar të rihapë zyrën e tij në Jerusalemin lindor dhe zhbllokoi disa të ardhura nga taksat, të Autoritetit Palestinez.

XS
SM
MD
LG