Lidhje

Ari Fleischer: Politika amerikane ndaj Iranit nuk ka ndryshuar - 2002-07-23


Dje Shtëpia e Bardhë mohoi një njoftim të gazetës amerikane The Washington Post se administrata ka braktisur përpjekjet për të punuar me elementët reformatorë në Iran. Korespondenti ynë Scott Stearns njofton se zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer tha se politika amerikane ndaj Iranit nuk ka ndryshuar.

Ai mohoi njoftimin e gazetës The Washington Post, sipas të cilit administrata e presidentit Bush ka arritur në përfundimin se presidenti iranian Mohamad Katami dhe aleatët e tij reformistë janë tepër të dobët.

Për shkak të këtij vlerësimi, shkruante gazeta amerikane, administrata ka vendosur të braktisë përpjekjet 5-vjeçare për nxitjen e reformave dhe do të ndjekë tani një rrugë tjetër: tu bëjë thirrje drejtëpërdrejtë përkrahësve të demokracisë mes popullit iranian. Kjo nuk është e vërtetë, u tha gazetarëve zëdhënësi Fleischer. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të vazhdojnë ti angazhojnë zyrtarët iranianë kur një gjë e tillë të jetë e dobishme, në zhvillime me pjesëmarrjen e shumë palëve për sa u përket çështjeve politike. Presidenti Bush thotë se Irani është pjesë e një boshti të së keqes, bashkë me Korenë e Veriut dhe Irakun, të cilët mund të ndihmojnë terroristët të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë. Zoti Fleischer tha se presidenti Bush është ende i shqetësuar rreth asaj që ai e quajti qëndrimi iranian jo-konstruktiv dhe përsëri u bëri thirrje udhëheqësve të Iranit që ti japin fund mbështetjes së tyre për Hezbollahun dhe grupe të tjera, që janë kundër Izraelit.

XS
SM
MD
LG